Ajeti merr vendimin e papritur, e ardhmja në udhëkryq

11:38 | 20 Gusht 2018
Arbresh.info

Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, mund të ketë nisur kurën për dhimbje koke. Me sulmin e gjymtuar, tani merr dhe një goditje tjetër, pasi Arlind Ajeti i bashkohet Mërgim Mavrajt pa ekip. Dy qendrat e mbrojtjes janë pa skuadër.

Mediet italiane bëjnë me dije se 24-vjeçari ka prishur kontratën me skuadrën e Torinos dhe tashmë është një lojtar i lirë në treg.

Kontrata e futbollistit skadonte me 19 qershor 2019, por shqiptari ka vendosur të mos qëndrojë te skuadra e “demave”.

Ai ishte jashtëplaneve të trajnerit Walter Mazzarri dhe nuk kishte vend as në ekip, pasi formacionin e shihte me dylbi. Në kushte të tilla, 24-vjeçari preferoi të linte Torinon pas 3 sezonesh. Karriera e tij te italianët nuk shkoi si duhet, pasi ka luajtur në total 4 ndeshje, nga të cilat 3 si titullar. Sezonin e shkuar u huazua te Crotone, pasi nuk gjeti hapësira.

Mbrojtësi mbetet në merkato dhe i duhet të luftojë me kohën, pasi në ligat kryesore të Europës merkatoja ka mbaruar, ose ka dhe pak ditë. Crotone dhe Perugia shfaqën interesim për të, por nuk u gjet gjuha e përbashkët.

Me mbarimin e merkatos në Seria A dhe Seria B, mbrojtësi do të largohet nga Italia, pasi në vendin fqinj ka vetëm dritaren e Seria C të hapur. Lojtari ka interesimin e Legia Warsaw pas vetes, por situata është e vështirë te polakët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme