Kufijtë ishin dhe mbetën çështje lufte. Luftërat, zhvilloheshin për kufij dhe nuk di luftë që nuk pati territorin- si casus belli. Por, kufijtë pranohen vetëm me pajtimin e fuqive të mëdha. Blerim Reka, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, ish-ambasador i Maqedonisë në Bashkimit Europian, në këtë intervistë për gazetën “Shekulli” flet për kufijtë ballkanikë edhe përplasjet gjeografike me historinë. Reka shprehet se duhet pasur kujdes me licitimet kufitare, sepse gjeopolitika ndryshoi rrënjësisht në dekadën e fundit. Ashtu siç 24 marsi 1999, ishte momenti i fundit për çlirimin e Kosovës, po kështu 17 shkurti 2008, ishte i fundit për pavarësimin e saj. Pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, Rusinë e dobët të Jelcinit, e zëvendësoi Rusia e fortë e Putinit; sikur që pas pavarësisë së Kosovës, kjo Rusi riktheu pozicionet e humbura strategjike në Detin e Zi, Mesdhe dhe në Ballkan. Sipas profesorit, bilateralisht, vështirë që Kosova dhe Serbia, si dy shtete që ende nuk kanë arritur pajtimin, e aq më pak kanë njohur njëri- tjetrin shtetërisht, do mund të pajtohen për kufijtë. Aq më pak, multilateralisht, ku vështirë mund të mbahet një konferencë e re për Ballkanin.
Zoti Reka, “Kufijtë e Ballkanit vizatoheshin me laps, por fshiheshin me plumb. Diplomacitë i krijonin, e ushtritë i zhbënin; sa herë që ndryshimet territoriale, nuk pajtonin parimin historik me atë etnik”. Çfarë mund të na thoni për këtë shënim tuajin, përsa i përket veçanërisht kufijve Serbi-Kosovë?
Kufijtë ishin dhe mbetën çështje lufte. Luftërat, zhvilloheshin për kufij dhe nuk di luftë që nuk pati territorin , si casus belli. Sidomos jo në Europë. Nëse e shikoni hartën e saj, do vëreni që ka aq shumë shtete, në aq pak hapësirë. Së paku krahasuar me hartat e kontintenteve të tjera.
Harta europiane është njëra nga më “dinamiket” dhe me kufijtë gjarpëror dhe të lëvizshëm periodikisht, si pasojë e ndryshimeve të shpeshta kufitare. Jo, pra me kufijtë në vijë të drejtë, si bie fjala harta e Afrikës, ku kufijtë ishin vizatuar me vizoren post-koloniale. Kjo ndryshueshmëri e kufijve, është edhe më e dukshme në Ballkan. Mjafton vetëm shembulli i Serbisë, shtetit më të madh ballkanik. Për më
pak se një shekull e gjysmë, Serbia zgjeroi disa herë territorin shtetëror. Ajo, si shtet, qe njohur ndërkombëtarisht në Kongresin e Berlinit më 1878-ën; por në kufijtë e asaj që njihej si “Pashallëku i Beogradit”, apo Serbisë së ngushtë: pa Kosovën, pa Sanxhakun dhe pa Vojvodinën (të aneksuara pas luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore). As pas luftërave të fundit në ish- Jugosllavi në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kufijtë nuk u pranuan nga të gjitha shtetet. Konferenca Ndërkombëtare për ish -Jugosllavinë, bazuar në mendimet e “Komisionit të Badinterit”, përcaktoi se kufijtë e brendshëm federal të shtetit të shpërbërë jugosllav, bëhen kufinj ndërkombëtarë (parimi utti posidetis). Mirëpo, pas gati tri dekadash, tetë konteste kufitare mbetën ende të hapura në Ballkan, ku padyshim, kufiri Kosovë- Serbi mbetet më i rëndi, si përplasëse e gjeografisë me historinë dhe si mos-përputhje territorit me etninë.
Kufirin Kosovë-Serbi ju e konsideroni më të rëndin ndër kufijtë ballkanikë, që mund të zgjidhet ose me njohjen reciproke të dy shteteve në kufijtë ekzistues, ose përmes këmbimeve territoriale. Por, parë në këndvështrimin tuaj, në çfarë drejtimi janë deri më tani deklaratat politike të krerëve dy shteteve, Vuçiç dhe Thaçi?
Duke qenë se ky kufi ishte kufi i pushtimit të Kosovës (1912), i sanksionuar ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), si i tillë ai për një shekull mbeti burimi kryesor jo-stabiliteti në Ballkan. Diplomacia europiane atëherë e pranoi kufirin e zgjeruar të Serbisë, të fituar paraprakisht me luftë pushtuese, duke flijuar Kosovën, si çmim për mosdaljen e Serbisë në Detin Adriatik. Shqipëria kontinentale, ishte flijuar për Shqipërinë bregdetare. Kufiri i Londrës ndau vëllezërit dhe bashkoi armiqtë. Si i tillë, ky kufi i armiqësisë, do mbante Ballkanin e trazuar për një shekull. Deri më 17 shkurt 2018, kur gjeopolitika euro- atlantike, do ndryshonte gjeopolitikën e Londrës. Pesë nga fuqitë e atëhershme europiane që kishin vizatuar këtë kufi të padrejtë, pas një shekulli e pranuan gabimin. I vetmi nga gjashtë fuqitë diplomatike europiane, që mbeti ende ithtar i “kufirit të Londrës” është Rusia, e cila edhe sot e dëshiron Ballkanin Londinez. Ky është pra burimi i jo-stabilitetit të vazhdueshëm ballkanik: mbajtja peng e rajonit, shkaku i vazdimit me projektimin e tij në kufijtë jo-real të para një shekulli. Fatkeqësisht, kjo vazhdon edhe në shekullin 21, kur Moska, duke mos arritur t’i ruajë kufijtë londinez, së paku tenton të pengoj euro-atlantizimin e rajonit si tërësi, duke krijuar sferë të influencën e vet në Ballkanin Danubian/kontinetal (me Serbinë dhe Republika Serbska); por jo edhe në Ballkanin Adriatik, me orientim të qartë pro- perëndimor (me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë). Në mungesë të informacioneve se çka kanë biseduar dy Presidentët Thaqi e Vuçiç, nuk mund të spekuloj se çka në të vërtetë duan ata me iniciativën e tyre më të re.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kërkon referendum për Preshevën, ndërsa Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç kërkon ndarje të vijave etnike. Nëse njëri prej tyre zbatohet, cili do të ishte i duhuri për Kosovën?
Siç u mundova ta shpjegoj paraprakisht, kufinjtë janë çështje tejet serioze dhe janë vendosur vetëm me përkrahje të fuqive të mëdha. Gjermania, Britania e Madhe dhe SHBA, tashmë u deklaruan kundër ndryshimeve territoriale në Ballkan. Rusia, nuk duket se është kundër, së paku nga zëdhënësja e MPJ të saj, e cila këto ditë në Beograd, do deklaronte do pranonte çfarëdo zgjidhje për Kosovën. Prandaj për Kosovën aktualisht më me rëndësi është të ndjekë vijën e aleancës perëndimore dhe të ruajë tërësinë e saj territoriale në kufijtë ekzistues. Kjo, sepse, dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, rrethanat gjeopolitike ndryshuan dukshëm. Shkurti i vitit 2008, ishte treni i fundit për pavarësimin e Kosovës, sepse po atë muaj, Rusia do fillonte rikthimin e madh në arenën ndërkombëtare. Në vitet në vijim, SHBA do tërhiqeshin lehtë nga Ballkani, kurse BE do humbte shtyllën kyçe atlantiste- Britaninë e Madhe (BREXIT) dhe do sfidohej nga regjimet populiste në Evropën qendrore dhe lindore. Ashtu siç 24 marsi 1999, ishte momenti i fundit për çlirimin e Kosovës nga Serbia, po kështu 17 shkurti, ishte i fundit për pavarësimin e Kosovës. Pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, Rusinë e dobët të Jelcinit, do e zëvendësoj Rusia e fortë e Putinit; sikur që disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, po kjo Rusi do rikthente pozicionet e humbura strategjike, në Detin e Zi, Mesdhe dhe në Ballkan. Po në muajin e sovranizimit shtetëror të Kosovës, në samitin e sigurisë së Munihut, Putini, do inauguronte kthimin e madh rus në arenën ndërkombëtare, bazuar në atë, që ai në atë samit do e quante: “shpërbërja e ish BRSS, si katastrofa më e madhe gjeopolitike”. Ca muaj, më vonë do fillonte “korrigjimin”praktik të këtij gabimi, me aneksimet në: Gjeorgji (të Osetisë Jugore dhe Abhkazisë); në Ukrainë (të Krimesë në vitin 2014 dhe të Ukrainës Lindore, 2015) dhe stacionimit ushtarak në Siri (2016). Pra, për më pak se një dekadë, Rusia riktheu pozicionet e humbura në fillim të të nëntëdhjetave, në dy pika strategjike kyçe: në Detin e Zi dhe në Mesdhe, me përpjekjet për t’iu afruar edhe të tretit- Adriatikut. Për dallim nga Ballkani Adriatik, ku nuk pati sukses, Rusia u pozicionua sigurt në Ballkanin kontinental, para së gjithash në Serbi dhe Republika Serbska. Derisa në pjesën detare të gadishullit, NATO nga muaji i kaluar, mbylli krahun jugor të sigurisë- me vendimin për ndërtimin e bazës ajrore në Kuçovë, Moska vazhdoi të penetroj në Ballkanin qendror. Pas vendosjes së bazës në Nish (afër kufijve me Kosovën e Maqedoninë) dhe armatosjes së Serbisë me avion ushtarak, vijon mbështetjen për krijimin e forcave të sigurisë në Republika Serbska. Pra, në dekadën e fundit, pas rikthimit në Kaukaz e Siri, Rusia u stacionua edhe në Ballkan, sa më afër daljeve detare, (për në Egje dhe në Adriatik). Me një fjalë, dua të them se gjeopolitika e 2018, ndryshon nga ajo e vitit 2008, andaj duhet patur kujdes edhe me licitimet kufitare.
NATO dhe Bashkimi Europian, çfarë roli mund të luajnë në këtë situatë ?
I pari në rrafshin e sigurisë, kurse i dyti në atë diplomatik, samitet e fundit të aleancës veri-alantike, rikthyen fokusin në sigurinë europiane, ku Ballkani mbetet i rëndësisë strategjike. Iniciativa e “3 detërave”, që shtrin praninë e NATO-s nga: Baltiku në Adriatik, sigurisht që nuk do i aplaudonte një harte të re të Ballkanit, sepse ndryshimi i kufijve në pjesë të rajonit do shkaktonte efektin domino për ndryshime kufitare edhe në pjesë tjera të Ballkanit. Sa i përket BE-së, duket se “perpsektiva europiane” nga Samiti i Selanikut (2013) e deri tek Procesi i Berlinit (2014-2018) nuk mjaftoi ta bindë rajonin, se një ditë do bëhet pjesë e Europës së bashkuar. Status-quoja 15-vjeçare e zgjerimit , së bashku me prolongimin e fundit për anëtarësimet e para (pas 2025), zveniti shpresat e ballkanasve. Deri sa BE ankohet prej lodhjes nga zgjerimi, shtetet e rajonit ankohen për lodhjen nga pritja. Në situatën kur as pas tri dekadash nga luftërat ballkanike, nuk u arrit as pajtimi post-konfliktual, vështirë se qasja aktuale e BE-së për anëtarësim individual mund të stabilizojë rajonin, duke ditur se ai që anëtarësohet i pari, do e bllokoj fqinjin e vet. Prandaj, anëtarësimi në pako, i tërë Ballkanit perëndimor do ishte strategji më e qëlluar për stabilizimin afatgjatë të rajonit.
Po Shqipëria çfarë qëndrimi duhet të mbajë në këtë rast?
Shqipëria është në pozitë jo të lehtë. Bashkësia ndërkombëtare e vëzhgon se çfarë qëndrimi do marrë, kurse bashkësia kombëtare e fton
të jetë më pro-aktive. I duhet të pozicionohet midis: pa-anësisë ndërkombëtare dhe anësisë kombëtare. Midis internacionalizmit dhe patriotizmit. Si komb, shqiptarët nuk mund të jenë neutral, por si shtet duhet të respektojnë kufijtë. Gogoli i “Shqipërisë së Madhe”, i shpikur në Moskë para një shekulli, parandalon përcaktimin e saj natyral kombëtar. Sa i përket pavarësisë së Kosovës, shteti shqiptar ishte i qartë në mbështetje të Republikës së Kosovës. Mirëpo, sa i përket ndryshimit të kufijve duket më i përmbajtur. E para, që të mos keqkuptohet nga vëllezërit në Kosovë, se po negocion në emër të tyre- kufij të rinj -me Serbinë. E dyta, që nga ndërkombëtarët të mos akuzohet për bashkim kombëtar. Fundja, Shqipëria është edhe shtet anëtar i NATO-s dhe i duhet të përcjellë politikën e aleancës veri-atlantike për Ballkanin.
Dhe së fundmi, sipas jush zgjidhje e kësaj situate do të jetë e afërt apo e largët?
Bilateralisht, vështirë që Kosova dhe Serbia, si dy shtete që ende nuk kanë arritur pajtimin, e aq më pak kanë njohur njëri -tjetrin shtetërisht, do mund të pajtohen për kufijtë. Urrejtja reciproke, ende ekziston shkaku i dhjetëra mijëra mija viktima lufte, po aq edhe të të të pagjeturve dhe rreth qindra mijëra të shpërngulur. Në Ballkan, një problem objektiv, (kufijtë) nuk mund të mbyllet, pa komponentët subjektive (viktimat). Pa një pajim të përgjithshëm, vështirë se mund të pritet zgjidhje e shpejtë bilaterale për kufijtë e rajonit. Aq më pak, ndryshimet e kufijve mund të përcaktohen multilateralisht, sidomos jo në një formatin e konferencës së re ndërkombëtare për Ballkanin, sepse kjo kërkon përfshirjen e lartë ndërkombëtare, gjë që me krizat si Siria, Ukraina apo Irani, aktualisht duket e pamundur.
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut