Igli Tare, drejtori sportiv i Lazios ishte i ftuari special i mbrëmjes në “Zona Gol”. Shqiptari që ka arritur të bëjë mrekulli në një rol të lartë drejtuesi në futbollin italian foli për shumë çështje, për çelësin e suksesit në karrierën e tij, marrëdhënien me presidentin Lotito dhe shqiptarët që luajnë te Lazio.
Supersport: I mërzitur nga starti me humbje i Lazios?
Igli Tare: Ta fillosh me humbje nuk mund të jesh i lumtur. Nuk mund të them që ishte e pritshme. Erdhëm me shumë probleme, sepse na mungonin tre lojtarë të skualifikuar, si Lucas dhe Leiva, Lukaku dhe Berisha ishin të dëmtuar. Edhe lojtarët që janë kthyer nga Botërori kanë vetëm 13 ditë stërvitje me skuadrën, edhe Luis Alberto është vonë me stërvitjen. Skuadra është, kjo humbje nuk duhet të përsëritet më. Kishim disa minuta “black-out”-i si me Napolin. Duhet të jemi pozitivë dhe optimistë sepse kemi cilësi.
Supersport: Ka kaluar mërzitja e humbjes së fundit të sezoit të kaluar me Interin?
Igli Tare: Natyrisht që djeg akoma, sepse Interi nuk na mposhti me lojë, por me goditje standarde. Për ne ishte fatkeqësi, sepse me sezonin që bëmë duhet të ishim në Champions League. Janë eksperienca që të mësojnë që të mos bësh ato gabime që ke bërë më parë.
Supersport: Më e vështirë futbollist apo drejtues?
Igli Tare: Të jem i sinqertë preferoj të bëj futbollistin, është ajo që ëndërron të bëjë çdokush. Futesh në një botë krejt ndryshe si drejtues. Fati i keq apo i mirë ishte se dola krejt papritur nga fusha e futbollit. Ajo zgjidhje në fillim ishte shumë e vështirë, sepse nuk kisha eksperiencë, por besimi dhe këshilla që kam patur nga presidenti Lotito kanë qenë shumë të rëndësishme. Ai është një mjeshtër në bërjen e tratativave si në blerje dhe në shitje. Është diçka që të jep, por edhe të merr shumë. Jam kurioz që çdo ditë të mësoj diçka të re. Mendon se ke mësuar apo parë gjithçka, por jeta ka shumë gjëra për të mësuar dhe kjo më bën kurioz.
Supersport: Ku bazohesh kur pikas një talent? Nisesh nga cilësitë që ka apo nevojat e skuadrës?
Igli Tare: Janë disa parametra shumë të rëndësishme për nivelet e larta. Duhet të jenë lojtarë që interpretojnë disa role, sepse ka të bëjë shumë me inteligjencës e tyre teknike dhe taktike. E kam patur gjithmonë dëshirën që skuadra jonë të ketë një lloj filozofie, të jetë entuziazmuese, fituese, por nuk është e lehtë, sepse edhe mënyra e interpretimit të lojës, sistemi i famshëm që luanim në kombëtaren tonë 3-5-2, në Itali interpretohet ndryshe. Lazio e bën këtë me mesfushorë shumë sulmues. Dalim shpejt në sulm për t’i kapur në befasi kundërshtarët, shënojmë shumë gola. Por duhet të jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, që të mos pësojmë. Ky është prioriteti ynë këtë sezon.
Supersport: Sa e vështirë është tw mbani presionin duke mos lejuar largimin e futbollistëve tw mëdhenj?
Igli Tare: Ne kemi një situatë të tillë, për të arritur atë nivel jo vetëm teknik, por edhe financiar, duhet të bëjmë shitje për të rregulluar buxhetin, për të rritur rrogat dhe investuar lojtarë të rinj. Jemi mundur ta mbajmë skuadrën në nivel kompetitiv, pra të kesh mundësi të arrish objektiva të rëndësishëm. Kemi krijuar një ambient shumë pozitiv, të gjithë lojtarët që janë apo dhe janë larguar kanë një lidhje emotive me Romën, kënaqësia më e madhe është se shumica e tyre shprehin dëshirën për t’u rikthyer. Kjo më bën krenar dhe sa herë që kam konferenca shtypi mundohem të them që Lazio duhet të jetë një klub si pikarritje dhe jo pikënisje. Kem një projekt pozitiv dhe ambicioz dhe shpresoj që koha të na japë të drejtë.
Supersport: Do të ishte më mirë të lëvizje nga Italia?
Igli Tare: Ma bëjnë shpesh këtë pyetje. Raporti im me Lazion është rritur ndër vite dhe është i thellë. Janë shumë vite që kam kaluar këtu. Lidhja emotive është shumë e madhe, jam krenar që punoj me këtë klub. Kam patur oferta nga klube shumë të rëndësishme, por kam menduar se nuk është momenti për të lëvizur, por në të ardhmen pse jo.
Supersport: Si ka qenë e vërteta e Interesimit të Milanit? Të tundoi Milani?
Igli Tare: Çdo fjalë që flas këtu, do të jetë në shtypin italian. Nuk më pëlqen të komentoj zgjedhje që janë bërë nga klubet e tjera.
Supersport: Interesime nga Anglia apo…?
Igli Tare: Ka patur.
Supersport: A ka patur oferta zyrtare nga Reali për Milinkovic-Savic?
Igli Tare: Nuk është e vërtetë që ka ardhur një ofertë. Milinkovic-Savic është shumë i lidhur emocionalisht me klubin tonë. Por ne nuk do t’ia mohojmë mundësinë për të luajtur në një klub të madh.
Supersport: Po Juventusi ka bërë ofertë për të?
Igli Tare: Është e pamohueshme, ka patur interesim, por merkatoja është e mbyllur, lojtari do të qëndrojë te Lazio.
Supersport: Lotito mbahet si president koprac, a do t’ju pëlqente të ishit drejtor në një klub ku mund të shpenzosh më shumë? Ku do të dukej më mirë puna juaj?
Igli Tare: Deri tani kam provuar variantin e parë. Sa i përket Lotitos, është numri një në Itali në manaxhimin e një klubi. E kam prekur nga afër, çdo problem që kemi patur e kemi zgjidhur në mënyrë gjeniale. Kemi shlyer borxhet dhe e kemi mbajtur në nivel konkurrues skuadrën. Është meritë e tij absolute.
Supersport: Si e keni bindur Lotiton apo cila është magjia që i ke bërë Lotitos?
Igli Tare: Të jem i sinqertë, edhe unë nuk e prisja që do të ndodhesha në këtë profesion. E kam treguar edhe mënyrën sesi erdhi kjo zgjedhje. Ishte çmenduri nga ana e tij. U futa për të firmosur kontratën si lojtar e dola si drejtor. Nuk i harroj fjalët e tij, “do të hysh nga një derë e madhe e do të dalësh po nga një derë e madhe. Atë që me kë treguar si futbollist do të ma shpërblesh si drejtues”. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës për atë zgjidhje absurde. Kemi edhe grindje të mëdha me njëri-tjetrin, por më pas harrohet gjithçka, ky raport që kemi do të ngelet për gjithë jetën time.
Supersport: Një koment për Shqipërinë, largimi i De Biasit ardhja, Panuccit…
Igli Tare: Nga jashtë nuk më pëlqen të komentoj punën e tjetrit. Është një ndryshim brezash që duhet pranuar nga vetë publiku ynë. Duhet t’i jepet pak kohë trajnerit, por koha është e lidhur edhe me rezultatet. Nëse loja është bindëse dhe rezultatet nuk vijnë, ndoshta i duhet dhënë më shumë kohë. Panucci kërkon disiplinën, por nganjëherë kjo të del në kahun e kundërt, duhet të gjesh vazhdimësinë në ruajtjen e ekuilibrave.
Supersport: Mund të na e shpjegoni këtë rritjen e shpenzimeve në merkato nga futbolli italian?
Igli Tare: Tre vitet e fundit shifrat e shpenzimeve të futbollit italian kanë qenë mbi 1 miliard euro në vit, 1.3, 1.4. Ardhja e Ronaldos është pozitive për futbollin italian. Ka patur efekt domino, sepse u panë se çfarë bënë ekipet e tjera, madje edhe të dorës së dytë. Këtë vit do të jetë një nga kampionatet më të bukura në historinë e futbollit italian. Premisat janë shumë pozitive, është moment delikat, që futbolli italian ka kaluar prej një dekade. Po kërkohet t’i jepet më shumë stabilitet Serisë A. Në kategoritë më të ulëta po prodhojnë shumë borxhe dhe, nëse këto probleme zgjidhen, do të jetë shumë më mirë.
Supersport: Portieri i Romës u shit për 80 milionë euro, sa vlen Thomas Strakosha?
Igli Tare: Nëse ai u shit 80 milionë euro, Thomasi vlen 81 milionë.
Supersport: Po Hysaj, si e patë në ndeshjen e parë?
Igli Tare: Bëri një ndeshje shumë të mirë me ne, do të doja ta shikoja atë lojë që shfaq me Napolin edhe me Kombëtaren.
Supersport: E ke menduar të bëhesh edhe trajner?
Igli Tare: Nuk është e vështirë për t’u përgjigjur. Fusha është e padiskutueshme, aty ke mundësi t’i japësh zgjidhje problemit. E kam thënë para disa kohësh, të gjithë jemi tifozë të Shqipërisë. Nëse do të bëhem trajner i Shqipërisë është një ëndërr që bëhet realitet, e kanë të gjithë futbollistët që veshin fanellën kuqezi, por nuk e kam në planet e mia për momentin.
Supersport: Sa do të vlente Tare si futbollist?
Igli Tare: Jam njeriu më i lumtur në botë, ia them vetes sa herë futem në zyrë. Kam patur një karrierë të madhe me aq sa mbështetje sa kam patur. Mund të ishte edhe më e madhe, por shumë aspekte kanë qenë të vështira. Nuk vë dot një çmim, thjesht është një kënaqësi dhe një dëshirë që pas çdo ditë them është një ditë e re, një mundësi e re. Për aq pak sa kam mundësi të ngre imazhin e shqiptareve, e bëj me kënaqësi.
Supersport: Lojtarët e tjerë shqiptarë te Lazio…
Igli Tare: Janë tre në ekipin e parë dhe 6 te të rinjtë. Janë aty vetëm me vlerat e tyre. Nuk e mohoj që të qenit shqiptar ka një vëmendje të veçantë nga ana ime, por jam shumë kritik sepse pritshmëria që kam është shumë e madhe si në anën morale edhe në cilësi.
Supersport: Me cilin vend i kënaqur me Lazion në këtë sezon?
Igli Tare: Të përmirësoj një vend, do të isha shumë i lumtur.
Supersport: Europa League a mbetet objektiv?
Igli Tare: Po, por është shumë e vështirë për ta arritur. Sepse kur vjen në fund të sezonit ke shumë gjëra për të arritur. Objektiv i arritshëm, por shumë i vështirë.
Supersport: Cila skuadër e fiton titullin në Serinë A?
Igli Tare: Për kampion të Italisë nuk shoh asnjë, do të ketë shumë surpriza. Është shumë e thjeshtë për ta thënë që Juventusi mbetet favorit absolut
Supersport: E ndjek Superioren?
Igli Tare: E ndjek më vëmendje të madhe, por jam shumë kritik, janë bërë hapa para në infrastrukturë, por në mentalitet kemi mbetur pas. Pas janarit çdo gjë vendoset në tavolinë. Kjo nuk më ka pëlqyer asnjëherë.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...