Aktivistet e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë qenë të arrestuara në aksionin e së premtes te stacioni i policisë, “Qendra” në Prishtinë kanë dalë në një konferencë për media, pas lirimit të tyre.
Aty para gazetarëve kanë folur aktivistet Rinë Zhitia, Arta Berisha, Elona Kurti, Diellëz Arifi dhe deputetja Saranda Bogujevci
Në këtë konferencë është thënë se mesazhi i hedhjes së ngjyrës së kuqe ditën e aksionit ka qenë për të simbolizuar gjakun e grave të vrara.
“Policia e Kosovës është duke e trajtuar dhunën ndaj grave si diçka të mbyllur dhe private. Ata nuk mund të guxojnë të heqin dorë nga kjo. Sigurinë e gruas njëjtë sikur të të gjithë qytetarëve duhet ta garantojnë organet përgjegjëse që po dështojnë çdo ditë”, është thënë në konferencë, përcjell Klan Kosova.
“Sigurisht keni dëgjuar për rastin që babai e dy djemtë i kanë rrahur nënën me dy motrat. Ky lajm u raportua para dy ditësh. Të tre këta janë liruar dje, në ora 18:00, pa proces gjyqësor. Ato tri gra mund të jenë ende të lënduara, me plagë të hapura por ata që ua shkaktuan plagët u liruan vetëm pas dy dite nga i njëjti vendi ku ironikisht po mbaheshim edhe ne. Pra, policia nuk është kundër dhunës. Policia është përkrahëse e dhunës. Kur policia viktimizohet është kundër që ne t’i përballim me ndërgjegjen e tyre. Përndryshe, po dëshmohet përditë në përkrahjen e dhunuesve të grave. Gratë po vriten. Policia i çon duart përpjetë”.
Sipas tyre kështu shpëtojnë dhunuesit dhe kështu shpëtojnë policët përgjegjës.
“Inspektorati Policor në vend se të reagonte e të merrte masa ndaj policëve po shërben si mjet justifikues për ta. “Sipas të gjeturave rezulton se tani për tani nuk ka element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës”. Ky është konkluzioni i Inspektoratit policor për vrasjen që ndodhi në Gjakovë. Inspektoratin tani e drejton Miradie Kelmendi. Kjo zyrtare është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha në këtë institucion. Është sekret publik që më ndërhyrjen direkte të Hashim Thaçit ajo u emërua drejtuese e Ispektoriatit në korrik të këtij viti”.
“Ne e dimë që shumica e atyre që përjetojnë dhunë nuk raportojnë, por edhe numri i raportimeve është në rritje. Kjo i bjen që edhe dhuna është në rritje. Vetëm për periudhën janar – shkurt 2018, 500 gra kanë raportuar për dhunë ndaj tyre”.
“Zyrtarët drejtues të policisë janë shumë të zënë me menaxhimin e rrjeteve kriminale, jo rrallë edhe drejtimin e tyre. Nga trafiku i qenieve njerëzore deri te mbrojtja e kriminelëve. Kjo dukuri po e kriminalizon çdo ditë e më shumë veprimtarinë e policisë në plot segmente të saj. Mosreagimi dhe tolerimi i dhunës në rastet kur ajo ndodh ndaj grave e fëmijëve është në vijë me këtë kriminalizim të kupolës së Policisë. Nuk mund të ketë edhe korruptim të drejtuesve dhe atmosferë rigoroze brenda policisë”.
Ato kanë thënë se Policia e Kosovës i ka duart me gjakun e grave.
“Ne e dimë që policia është instanca e fundit ku testohet shtypja ndaj grave. Gratë janë krejtësisht të shpërfillura në Kosovë. Në sfera publike e private diskriminohen dhe ato pak gra që gëzojnë disa të drejta e liri e kanë shumë më të vështirë sesa burrat. Kur një shtet nuk është I së drejtës ai prodhon vetëm pabarazi, dhe gjithmonë këtu gratë e pësojnë më keq. Në të gjitha shifrat krahasuese në raport me burrat gratë sot qëndrojnë më keq, jo për fajin e tyre por për të gjithë shoqërisë. Por gratë e Kosovës nuk do ta durojnë një shtet të padrejtë. Ne nuk do ta durojmë një shtet të dhunës”.
“Njëkohësisht jemi të vetëdijshme se për t’u jetësuar të drejtat formale duhet të luftojmë për to. Dhe kjo është duke ndodhur. Për Valbonë e për Kiarën është protestuar në Gjakovë, në Prishtinë, në Ferizaj. Për drejtësinë duhet këmbëngulur çdo ditë. Për barazinë nuk bëhet kompromis. Kauza e grave është me prioritet”./klan kosova/
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...