Google ADS

Dy javë pas afatit, ende s’dihet nëse drafti i Asociacionit është dërguar në Bruksel

15:44 | 19 Gusht 2018
V. S.

 

Afati prej 4 muajsh i BE-së për ta përfunduar draftin e Asociacionit, ka kaluar më 5 gusht. Përkundër se janë bërë dy javë që kur ekipi menaxhues është dashur ta dërgojë draft-statutin në Bruksel, një gjë e tillë ende nuk dihet nëse ka ndodhur.

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka marrë ndonjë informacion zyrtar apo ftesë nga BE-ja për ta diskutuar këtë draft.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga kryesuesi i ekipit të Kosovës për dialog teknik, Avni Arifi.

Ndonjë informacion zyrtar nëse Ekipi Menaxhues e ka dërguar draftin në Bruksel, deri më tani nuk është dhënë as nga Bashkimi Evropian.

Qeveria deri më tani ka marrë vetëm disa raporte të punës, kurse për draft-statutin është bërë e ditur se do të dërgohet në zyrën e kryeministrit pas diskutimeve në Bruksel.

Por ditë më parë nëpër mediat vendore kanë qarkulluar procesverbalet e Ekipit Menaxhues ku madje kërkohej edhe ndryshimi i Kushtetutës.

Ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe në disa takime me dekanin paralel të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës me selinë e përkohshme në Mitrovicë, Vladan Mihajloviq dhe me një ekip ekspertësh ligjorë, kanë përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Është i nevojshëm që të ketë një bazë të vlefshme ligjore për funksionimin e Asociacionit të komunave serbe në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel”, kështu ka deklaruar, Vladan Mihajloviq, pas takimit që ka zhvilluar me ekipin menaxhues në maj të këtij viti.

Arsimi sipas sistemit të Serbisë

Sipas procesverbaleve, ekipi menaxhues me datë 4 qershor, ka mbajtur një takim me udhëheqësit e institucioneve arsimore, me qëllim të shqyrtimit të mënyrës se si do të duhej të trajtohet kjo fushë në Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Jasmina Dediç, udhëheqëse e administratës së arsimit në veri, i ka thënë ekipit menaxhues se “rektori i Universiteti të Prishtinës në veri dhe përfaqësuesit e të gjitha niveleve të tjera, duke përfshirë ciklin e ulët shkollor, të mesëm dhe të lartë, presin që të mbeten në sistemin aktual” të kontrolluar nga Qeveria e Serbisë.

Kompetenca për privatizimim dhe kadastër

Vlladica Aritonoviq, kryetar i Komunës së Ranillugut ka theksuar se në Ligjin për investime strategjike do të duhej të ktheheshin dispozita që u mundësonin kryetarëve të komunave të drejtën e ndalimit të privatizimit të subjekteve të caktuara ekonomike.

Kryetarët e komunave serbe kanë kërkuar që kadastra e këtyre komunave të jetë në menaxhim të Asociacionit.

“BKS do të duhej të ketë kompetenca të plota në menaxhimin e kadastrit të patundshmërive, diametrit publik, shpronësimit të tokave, dhe çështjeve të tjera kadastrale”, ka thënë Slaxhan Kostiq, drejtor i Drejtorisë për Kadastër në komunën e Leposaviqit.

Por nga qeveria e Kosovës po zotohen se Asociacioni asnjëherë nuk do të jetë si instrument i Serbisë për kontrollin e shtetit të Kosovës.

“Kosova kurrë nuk ka marrë obligim që të krijojë asociacion që do të shërbejë si instrument i shtetit Serb për defunksionalizimin dhe kontrollimin e shtetit të Kosovës. Ideja që nëpërmjet asociacionit të depërtohet në funksionim të shtetit të Kosovës është perfide dhe nuk do të kalojë”, kishte shkruar Avni Arifi ditë më parë në facebook.

Madje nga qeveria disa herë është paralajmëruar se drafti i Asociacionit pas kthimit nga Brukseli do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese./lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme