Google ADS

“Dashuroni dijen edhe pse nuk ju jep lumturi, ju jep sukses”

11:07 | 19 Gusht 2018
Arbresh.info

Helena Halilaj, tanimë emër i njohur për publikun shqiptar dhe jo vetëm, pasi ka qenë pjesë e disa eventeve poetike si: Spanjë, Turqi, Austri, Portugali, Bullgari, Itali etj. Pra, Helena Halilaj, një pedagoge e zellshme por që për arbresh.info na vjen si poete:

Raporti yt me poezinë, meqenëse jeni edhe profesorësh universiteti?

Takimi im me poezinë është tepër herët, në fëmijëri duke ardhur deri sot. Ky është takimi më i gjatë i jetës time pasi do më shoqëroj gjithmonë. Në marrëdhënie me universitetin ndikojnë shumë elemente të formimit tim, poezia është muza ime e cila me jep energji të vazhdueshme. Universiteti është magjia e fjalës dhe vlerës që ti i merr përsipër për tu bëre jo punëmarrës por frymëzues për brezat, nëse ia del ke kryer misionin më të lartë, dije-dhënien.

Na flisni pak për librat që keni të botuara dhe sa gjen zbatim në jetën e përditshme mesazhi që e shprehni përmes vargjeve?

Kam botuar disa libra prozë dhe poezi, burim i të cilëve kanë qenë momentet, sfidat, emocionet që kanë gjurmuar mendjen dhe zemrën time. Duke jetuar në trikohësinë poetike gjendet pothuajse i qartë dhe i dëlirë mesazhi që përcillet. Jam pjesë e tërësisë humane në përgjithësi, faturë të cilën më pëlqen ta paguaj shpirtërisht me poezi dhe pse jo dhe forma të tjera sociale.

Jeni pjesëmarrëse edhe në shumë evenimente letrare jashtë kufijve shqiptar, ku keni rrëmbyer edhe çmime, a mund të na shpalosni ndonjërin prej tyre?

Kam patër fatin të jem pjesë e disa eventeve poetike si: Spanjë, Turqi, Austri, Portugali, Bullgari, Itali, etj ku jam vlerësuar me çmime speciale, çmime poetike të të rinjve, mirënjohje, etj. Ne jetën time këto udhëtime poetike kanë bërë kthesa të forta për të kuptuar që lartësitë e vlerës duan punë dhe shumë punë, përtej talentit sigurisht.

Cili është roli i femrës në jetën kulturore dhe sociale në Shqipëri?

Kemi femra që luajnë role të mira, kemi që bëjnë se luajnë, kemi dhe nga ata që s’dinë të luajnë role sociale dhe kulturore. Femra në Shqipëri është potencial, por në autobusin e meritave vendet e para i kanë zëne shpeshherë ata që duan vendet e para, por që kurrë nuk i mbërrijnë ato.

Si e shihni letërsinë e Kosovës me atë të Shqipërisë?

Letërsi e çoroditur goxha shumë, dëshira është e madhe që të bëhet letërsi jo të shkarraviten letra e të bëhen evente argëtuese më shumë sesa vepruese mbi të ardhmen e letrave tona. Por kur kemi Kadarenë e Qosen frymojmë ende vlerë ndër vepra letrare.

Meqenëse e vizitoni shpesh Kosovën, cili është dallimi në mes Prishtinës dhe Tiranës?

Njëjtë në shpirt e ndryshe në dukje. Degë të një trungu të rritura ndryshe. Arti, universitetet kanë bërë mrekulli në marrëdhënien mes kryeqendrave tona duke afruar të rinjtë mbi të gjitha. Ky afrim një ditë do të shkrijë dallimin duke ardhur në një të tërë si dikur…

Si bashkëjetojnë fetë në Shqipëri?

Situatë e bashkëjetesës pa zhurmë, duke përjashtuar faktin e dhimbshëm sipas meje të shtimit të shumë femrave të mbuluara myslimane. Nuk gjykojmë po kur vritet syri vritet dhe mendja i ne njerëzve që nuk jemi predikues të asnjë feje. Bashkëjetesa fetare është aset i shtuar për ne në këndin e cilësive qe zotërojmë ne. Na duhen më tepër shkolla, muze, qendra kulturore sesa kisha e xhami.

Sa ndikojnë komunitetet tjera në jetën e shoqërisë shqiptare?

Jemi popull mikpritës ne, kjo situatë është treguar ndër vite në jetën tonë sociale. Ndikimi tyre në jug ka trazuar shpesh marrëdhënien me grekët, por komunitetet tjera transite të përjetshme nuk kërkojnë çfarë nuk e kanë pasur kurrë.

Kur do t’ju prezantosh lexuesve librin tënd të radhës?

Me vjeshtën do vij dhe një libër i ri me poezi.

Mesazhi juaj për lexuesit?

Vetes thojani çdo herë të vërtetën, edhe miqve. Jetoni bukur, dashuroni dijen dhe pse nuk ju jep lumturi ju jep sukses. Koha ka treguar se ne jemi hallkë e zingjirit të jetës, mos e baltosni hallkën tuaj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme