Google ADS

Promovohet libri “Mbijetesa-Arsimi shqip në Komunën e Ferizajt 1990-1999”

21:49 | 20 Gusht 2015
M. A.

Është promovuar libri “Mbijetesa-Arsimi shqip në Komunën e Ferizajt 1990-1999” i autorit Ramadan Ramadani, libër ky që sjell shumë të dhëna mbi një dekadë pune të palodhshme dhe me plot sakrifica të arsimtarëve që nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre, për të mbajtur gjallë arsimin shqip në kushtet e një okupimi serb.

Folësit në këtë promovim të librit voluminoz prej afro 900 faqesh, e kanë vlerësuar lart librin dhe kontributin e historianit dhe pedagogut të palodhur ferizajas, Ramadan Ramadani.

Recenzenti i librit, sociologu Enver Zhinipotoku ka folur për aspekte që kanë të bëjnë me librin, përmbajtjen e saj, duke sjell fakte konkrete nga kjo kohë ku arsimi ishte vënë në mbrojtje të qenies kombëtare, si një segment mjaft me rëndësi, ndërsa mësimdhënësit dhe arsimdashësit që lëshuan shtëpitë për shkolla, janë vlerësuar lart. Arsimi, sipas tij ishte një digë e fuqishme e dijes që ishte ngritur për të mbajtur të pashuar ndjenjën e atdhedashurisë.

Edhe redaktori gjuhësor i librit, Nuhi Syla ka shpalosur anë të shumta të këtij libri, duke vënë në pah shtyllat kryesore të ndërtimit të tij. Ndërsa pedagogu Fehmi Salihu ka vënë në spikamë momente nga libri dhe nga koha, e cila në kët ë libër jepet me vërtetësi dhe pa glorifikime, ndërsa shquhet për referencat dhe dokumentaritetin që e bëjnë librit më të plotë. Gazetari ferizajas, Rexhep Rifati ka folur për librin, duke u ndalë në iniciativat e asaj kohe për stipendimin e studentëve, por ka shfaqur idenë e ripërtëritjes së tyre dhe mundësitë e krijimit të një fondacioni për studentë. Ndër tjerash, Rifati ka çmuar edhe kontributin e diasporës, e cila bëri shumë për shkollën shqipe në këtë etapë kohore.

Libri i Ramadanit është financuar nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili në fjalën e tij ka përshkruar rrugëtimin e zhvillimit të shkollës shqipe në këtë periudhë, duke premtuar mbështetje për nismat e krijuesve për t’iu rrekur zbardhjes faktografike të këtyre etapave më rëndësi.

“Komuna e Ferizajt është e vendosur për të mbështetur nisma që çojnë kah studimi dhe qëmtimi i fakteve e argumenteve që hedhin dritë mbi të kalu arën tonë të largët e afërt, në mënyrë që brezat e ardhshëm të kenë dëshmi të shkruar, të dorës së parë dhe të ndërtojnë historinë mbi faktet e shkruara”, ka thënë Svarqa, ndërsa ka nënvizuar se kontributi i autorëve është tejet me rëndësi, por u mbetet grupeve të historianëve dhe dijetarëve e njohësve të lëmenjve të caktuar, që të japin kontributin e tyre të çmuar në fusha të dijes e të shkencës.

Në fund të promovimit, autori i librit Ramadan Ramadani ka falënderuar gjithë ata që ndihmuan botimin e këtij libri dhe ata që ofruan materiale me rëndësi për mbarështimin e lëndës./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme