Blerim Isufaj, kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj nuk e ka dorëzuar me shkrim dorëheqjen e tij.
Koha Ditore sot ka raportuar se dorëheqja e Blakajt kishte ardhur për shkak të kërcënimeve që ka marrë për shkak të hetimeve në listën e veteranëve.
“Të gjithë ata që ushtrojnë detyrën e prokurorit janë të vetëdijshëm për punën që kanë. Ata nuk munden të zgjedhin njerëzit apo lëndët. Dorëheqjen e tij me shkrim ende nuk e kemi. Dorëheqja do të duhej të vinte në Këshill, unë jam i pari që duhej ta kisha marrë atë letër, unë ende nuk e kam atë. E ka thënë se nuk do të jetë pjesë e prokurorisë ndërsa ka njoftuar për këtë më 13 gusht”, ka deklaruar Isufaj.
Ai ka thënë se në njoftimin e tij për dorëheqjen Blakaj nuk ka sqaruar arsyet e largimit.
“Shqetësusese për mua është se nuk ka sqaruar se përse është dorëhequr. Këshilli nuk ka asnjë informacion se ai ka qenë i kërcënuar për ndonjë rast. Informatat e para unë i kam marrë nga mediat, e nuk do të duhej. Kjo shkresë është aq e mangët sa që për mua nuk ka kuptim. Jam befasuar për këtë dorëheqje. Sido që të jetë e respektoj vendimin e tij, dhe i uroj suksese. Do të jetë temë diskutimi, por së pari duhet të dërgojë një dorëheqje me shkrim. Ka bërë një punë shumë të mirë në sistemin prokurorial. Kishte bërë mirë që ta bënte publike vet arsyet e largimit të tij”, është shprehur ai.
Isufaj shton se, “nuk guxoj të them se ka pasur kërcënime. Zyrtarisht ai asnjëherë nuk ka thënë se është kërcënuar”.
“Nuk e di çka ai mund ta konsiderojë kërcënim. Ai ka deklaruar për Policinë se nuk ndihet i rrezikuar, dhe nëse është arsye personale i uroj sukses. Ne kemi dërguar Policinë për të parë nëse ai ka nevojë për mbrojtje, e kemi pyetur për këtë. Ka qenë i ngarkuar me lëndën për hetimet ndaj zyrtarëve të lartë për listën e veteranëve. Është shumë e ndershme që ai të deklarohet për këtë rast”, është shprehur ai.
Sipas Isufajt nuk qëndron, që shefat e tij nuk e kanë quar përpara aktakuzën e tij. Vet prokurori e dërgon në gjykatë.
“S’ka rendësi kush e merr vazhdimin e këtyre hetimeve. Aktakuza nuk ka shkuar në Gjykatë, ende është në fazë të hetimeve, nuk e di epilogun por nuk është dërguar. Ka pas raste të tilla edhe më herët, ka tash edhe do të ketë (për figurat politike në vend). Me persona të politikës nuk kam pasur rastin të bëjë ndonjë akuzë, po e kam bërë me njerëz që janë dënuar me 40 vjet burgim”, ka thënë ai.
Kur prokurori bën aktakuzë atëherë ai sigurohet se ka prova për të fituar rastin.
Sipas Isufajt nuk ka asnjë aktakuzë aktualisht.
“Konsideroj se Blakaj e ka kryer punën mirë deri këtu. Por, jam i zhgënjyer për mënyrën e dorëheqjes së tij, duke dhënë arsyen e dorëheqjes, por ne nuk e dimë. Nëse është personale atëherë pse të gjitha këto muhabete. Prokurorët kanë kushte shumë të mira. Këtu janë dy gjëra, ose është personale ose ka presion, por ai duhet të tregojë. Nuk e di nëse ka shkruar në SHBA, veç e di që është në pushime. I bëj thirrje që ai të deklarohet vet. Nëse mendon se nuk duhet të ndahet me publikun, mund të na tregojë neve”, ka thënë ai.
Më tutje ka deklaruar se, “në vitin 2014 për një vit janë kryer 24 mijë landë. Në vitin e ardhshëm do të ketë shumë pak lëndë të vjetra. Tash do të shpallim konkursin për rekrutimin e 10 prokurorëve të rinj. Numri total i lëndëve që EULEX-i transferon te ne është rreth 900”.
Ai sheh përparim sa i përket përforcimit të sistemit të drejtësisë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të marrë drejtimin e Prokurorisë Speciale./Koha.net/
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...