Google ADS

“Nuk duhej të ndodhte”, kryeministri italian takon familjarë të dy viktimave shqiptarë

15:19 | 15 Gusht 2018
Arbresh.info

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka takuar familjarë dhe të afërm të viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në urën e Xhenova.

“Nuk duhej të ndodhte”, tha Kryeministri Conte i përlotur, i cili shkoi paraditen e sotme në morgun e spitalit San Martino.

Kreu i qeverisë italiane takoi familjarët e personave që humbën jetën. Mediat italiane raportojnë se Kryeministri Conte kaloi disa minuta edhe më të afërmit e dy djemve shqiptarë që humbën jetën në këtë tragjedi.

Marjus Djerri 22 vjeç nga Shijaku dhe Admir Bokrina 31 vjeç (ose Edi sikurse i flasin miqtë) nga Shkodra, janë dy të rinjtë shqiptarë që u ndanë para kohe nga jeta. Ata udhëtonin së bashku me makinë për të shkuar në qytetin Rapallo, ku punonin në një kompani pastrimi. Shembja e urës u preu atyre udhëtimin. Dy shqiptarët u nxorrën të pajetë nga rrënojat.

Në rrjetet sociale, miq e të afërm kanë shprehur ngushëllimet për dy të rinjtë shqiptarë. Binte në sy veprimi prekës i së ëmës së Marjusit, e cila publikoi një foto duke puthur të birin.

Edhe të afërm të Admir Bokrinës nuk mund ta besonin se 31-vjeçari ishte ndarë nga jeta. Djali i tij i xhaxhait që jeton gjithashtu në Itali, ka publikuar një foto me të. “Është kushëriri im, por praktikisht ishte vëllai im”, thotë ai në një prej komenteve.

Nga shembja e urës në Xhenova deri tani janë konfirmuar 37 të vdekur. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ndërsa ekipet e emergjencës po kërkojnë për të gjetur persona të tjerë nën rrënoja. /tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme