Hoti: Propozimi i Thaçit për korrigjim kufijsh ushqen politikën refuzuese të politikanëve serbë në Kosovë

11:16 | 14 Gusht 2018
Arbresh.info

Propozimi kontravers i Presidentit për korrigjim kufijsh i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kahmotshme, tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovës. Kështu shkruan sot, përmes rrjetit social Facebook, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Propozimi për korrigjim kufijsh po ndihmon drejtpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe po i ushqyen shpresa e tyre se Kosova mund të ndahet dhe një pjesë e saj mund t’i bashkëngjitet Serbisë.

Kaq vite mund, investime dhe punë nga ne dhe miqtë tanë ndërkombëtarë tash po dëmtohen nga Presidenti i shtetit, i cili në fakt do të duhej të ishte gardian i rendit kushtetues dhe kundërshtues ndaj ideve të tilla kundërkushtetuese.

Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një qeveri dhe kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë Presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës.

Qeveria e re do të eliminojë pasigurinë politike që ka kapluar shtetin e Kosovës dhe ka çorientuar miqtë tanë ndërkombëtar lidhur me atë se çfarë duan qytetarët e Kosovës.

Ne mbesim të palëkundur në idealin tonë për një Kosovë demokratike e të pavarur në tërësinë e saj territoriale, të zhvilluar në çdo cep të saj e me mundësi të barabarta për të gjithë pa dallim, të integruar në BE dhe NATO, si dhe në miqësi të përhershme me SHBA, shkruan në postimin e tij Avdullah Hoti i LDK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme