Google ADS

Nënkryetari i PDK’së i drejtohet me një letër të hapur presidentit të Serbisë

19:54 | 11 Gusht 2018
Arbresh.info

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, i është drejtuar me një letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit duke i thënë se propozimi për ndarje etnike me shqiptarët, në një shtet që e ka ndërtuar filozofinë e vet kushtetuese shumetnike për hir të komunitetit jo shumicë serb, duket i papërgjegjshëm, kundërkohor, kundërhapësinor dhe aspak në drejtim të investimit për normalizimin e marrëveshjes ndërmjet dy shteteve tona.

“Mendoj se propozimi i juaj i cili i ka ngatërruar kohët, ka rrjedhë më shumë si paaftësi e klasës politike serbe për t’u përballur realisht me shqiptarët dhe me vetveten”, ka shkruar ndër tjerash Hoti.

Më poshtë keni letrën e plotë:

I nderuar Presidenti i Republikës së Serbisë, z. Aleksander Vuçiq
Ka kohë që ju pres të reflektoni me një fije konkrete të një propozimi, prej nga e si e mendoni ju normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Marrëveshjet e deritanishme të Brukselit realisht kanë qenë teknike, sado peshë të madhe që kanë bartur në vetvete edhe me prapavijën e tyre politike. Madje, do të thosha, edhe mosekzistenca e transparencës që ka mbizotërua gjatë gjithë kohës, mund të tolerohet si ‘e kuptueshme’, për rrethanat e ndjeshmërisë së problemit në fjalë.
Natyrisht, është e qartë se normalizimi shqiptar-serb nuk është natyrë e tillë që mund të zgjidhet me ‘fëmijë politikë’, që ju na sillni në Prishtinë vend e pavend, e as me nipat dhe mbesat që ju i keni ndërtuar në Kosovë përgjatë sundimit afro 100 vjeçar, pavarësisht se ata janë shumë, të shkolluar, pas vitit 1999 edhe patriotë e nacionalistë të zëshëm.

E vërteta se ju keni dështuar edhe si pushtues në raport me Kosovën dhe aty e keni humbur edhe luftën me shqiptarët dhe botën e qytetëruar, ju bën të jeni jo vetëm të trishtuar e pa dinjitet, por, si komb, ende të paaftë për t’u ngritur mbi krimin dhe gjenocidin që keni bërë ndaj populli kroatë, boshnjakë e shqiptarë.

Në rrethana të tilla tryeza e normalizimit për ju është një makth i ngatërruar ndërmjet imagjinatës së konstruktuar në shekuj dhe reales se Kosova s’është më e juaja as në mashtrim.
Pothuaj është natyrë barbare, thënë në kuptimin e një atavizmi të figurshëm, që ju ka përcjellë si popull, që prej kohës kur keni zbritur në Gadishullin tonë Ilirik, etja për të ‘zaptuar’.
Mirëpo, marrja e territoreve me gjenocid, 49 për qind në B&H, edhe me bekimin ndërkombëtar, «Marrëveshja e Dejtonit», ju ka sjellë deri te kthjellja se politika e strategjisë së pushtimeve merr fund në kufijtë e Kosovës. Jo vetëm kaq. Ende pa u njohur botërisht pavarësia e Kosovës, ju e keni kryer edhe dëshirën e fundit për të kërkuar të Drejtat e komunitetit tuaj në Kosovë.
I nderuar President i Republikës së Serbisë, z. Aleksander Vuçiq,
Propozimi i juaj për ndarje etnike me shqiptarët, në një shtet që e ka ndërtuar filozofinë e vet kushtetuese shumetnike për hir të komunitetit jo shumicë serb, më duket i papërgjegjshëm, kundërkohor, kundërhapësinor dhe aspak në drejtim të investimit për normalizimin e marrëveshjes ndërmjet dy shteteve tona.
Sikur të mos kishte ndodhur lufta, rrjedhimisht gjenocidi në Kosovë, sikur të mos ekzistonte ‘Pakoja e Ahtisaari-it’, sikur të mos ishte shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës në partneritet me faktorin ndërkombëtar në krye me ShBA-n, dhe sikur të mos ishte njohur ajo nga mbarë bota e shteteve demokratike në radhë të parë, sikur të mos kishte qenë Deklarata e Pavarësisë në pajtim me opinionin e të Drejtës Ndërkombëtare dhe shumë të tjera të pathëna, edhe do të kishte një derë në skajin e propozimeve të tryezës për normalizim ndërmjet dy vendeve tona.
Mendoj se propozimi i juaj i cili i ka ngatërruar kohët, ka rrjedhë më shumë si paaftësi e klasës politike serbe për t’u përballur realisht me shqiptarët dhe me vetveten.
Fundja, asnjë populli në Gadishullin Ballkanik nuk ka nevojë më shumë sesa populli shqiptar për t’i përkufizuar kufijtë mbi ndarje etnike.
Sepse shqiptarët jetojnë kompakt, shtrihen kompakt, janë autokton kompakt dhe kanë territor të tyre të kristaltë kompakt, pa pasur nevojë për të krijuar korridore e lëkura leopardi.
Në lidhje më këtë më lejoni t’ju pyes: a mund të shkatërrohen gjashtë shtete e të ndërtohet një shtet shqiptar?!
Mbase ju mund ta bindni Maqedoninë, Greqinë, Malin e Zi dhe vetveten tuaj, pra, Serbinë, për të bërë një ndarje etnike të popujve tanë.
Me lejoni ta shfaq mendimin se edhe klasa shqiptare që ju e keni ngritur në Kosovë, e keni mbathur e ushqyer e që ndoshta kujdesi edhe sot e këtë ditë për një pjesë të saj, është kundër jush gjithashtu.
Pajtohem në largesë se kjo kategori e njerëzve është e para që e krijojnë ‘perestroikën’ në politikë. Është natyrë mbijetese. Nuk kam dyshim se ju e dini! Por, ata, megjithatë, janë prapë kundër jush!
Një pjesë e vogël që pajtohet me propozimin tuaj te ne, është ekskluzivisht naive dhe nuk ka as edhe një argument të mirëqenë për ta bindur dikë në Kosovë, përse i ngutet vendit tonë të hyjë në një marrëveshje me Serbinë për t’i korrigjuar kufijtë me ndarje etnike ende pa e njohur ju Republikën e Kosovës de jure.
Kjo i bie realisht, z, President, sikur të pranojmë që me ju të hapim serish çështjen e statusit të vendit tonë sovran e të pavarur?!
Mos duhet ta zhbëjmë sistemin tonë juridik-kushtetues thjesht në tryezën e Brukselit pa e pyetur askënd?!

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme