Tahiri: Asociacioni nuk është strehë nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim

13:56 | 11 Gusht 2018
Arbresh.info

Besnik Tahiri, koordinator nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, ka dhënë disa rekomandime lidhur me themelimin dhe rolin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka treguar hapat që duhet të ndërmerren që institucionet shtetërore të mos lejojnë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Ai ka thënë se logjika e Asociacionit nuk është strehë nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim.

Postimi i plotë i Tahirit:

“Shumë është fol këto ditë rreth Asociacionit, themelimit dhe fuqisë së këtij institucioni! Rreth kësaj teme po i them tri fjali që në shumë debate e shkrime i kam theksuar gjatë këtyre viteve:

E para, në Kosovë, të gjitha institucionet e shtetit e kanë për obligim të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, Statuti i Asociacionit duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Qeveria do të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë duke mos lejuar nivel të dytë rajonal në sistemin politik dhe qeverisës të vendit.

E dyta, askund në botë nuk ka një praktikë që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë apo fushave tjera vitale. Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë nga Beogradi është një lojë që për qëllim ka ta paraqet Kosovën keq para faktorit ndërkombëtar e pse jo edhe ta shtyej themelimin e këtij Asociacioni me synim që të nxit ndonjë projekt tjetër politik!!!!

E treta, sa i përket funksionimit dhe organizimit të qeverisjes lokale në përgjithësi, e me theks tek asociacionet e komunave, definitivisht Serbia nuk ka as shembuj e as praktika të mira në këtë fushë. Atje edhe më tutje komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore.

Krejt në fund, logjika e Asociacionit nuk është strehë nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim” (sic.), ka shkruar Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme