Peja rikthehet fuqishëm në Superligë pas kryerjes së obligimeve financiare

17:47 | 10 Gusht 2018
Arbresh Info

Kryetari i KB Pejës, Art Gashi ka konfirmuar se klubi i qytetit pejan ka kryer të gjitha obligimet ndaj lojtarëve dhe FIBA tashmë ka hequr bllokadën e transferimeve të lojtarëve për këtë klub.

Peja pati vitin e kaluar një sezon të mbijetesës, ku madje u kthyen nga pensionimi lojtarë si Valdet Grapci për të shpëtuar klubin nga rënia prej elitës.

Këtë KB Peja e arriti me shumë sukses dhe tashmë Art Gashi ka konfirmuar se klubi ka kryer të gjitha obligimet në rastet e lojtarëve bashkë me agjentët e tyre, duke arritur marrëveshje me ta.

Me këtë rast është larguar edhe bllokada e FIBA-s ndaj klubit pejan për transferimet e lojtarëve.

“Borxhet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të larta dhe ne mendojmë se janë pjesërisht të padrejta. Sidoqoftë, kemi haspur në mirëkuptim të njerëzve të FIBA-s por edhe të agjentëve e lojtarëve dhe mund të them se tashmë kemi mbyllur lëndët që i kemi humbur në BAT me Nenad Delic (agjenti Zvonimit Ridl) dhe me Matrios Austin e Chris Smith (agjenti Petar Arsic”, u shpreh Art Gashi për Insportin.

Pas këtyre zhvillimeve të fundit, FBK do të mbajë një mbledhje ku do të analizojë situatën financiare të klubit e ku do të certifikohen edhe klubet pjesëmarrëse për sezonin e ri të Superligës.

Sezoni i ri i Superligës do të jetë tejet interesant sidomos pasi KB Peja pritet të rikthehet fuqishëm në luftën për trofe duke rikthyer derbin e madh me Sigal Prishtinën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme