Ankesat e pacientëve për mungesë të mjekëve në vendin e punës, nuk janë të rralla. Prej 500 sosh sa janë adresuar në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, 38 për qind kanë qenë pikërisht për mungesë të mjekëve. Kështu ka thënë Besim Kodra, kryetar i kësaj shoqate.
“Përgjegjësia dhe llogaridhënia e stafit mjekësor është kyçe për rregullimin e sistemit shëndetësor. Ka pasur ankesa për shembull në Klinikën Gjinekologjike ku pacientja ka pësuar dëmtim shëndetësor, si pasojë e mungesës së mjekut kujdestar, e që asnjë mjek tjetër nuk ka qenë në klinikë, por që fatmirësisht lëndimi ka qenë jo vdekjeprurës. Me ankesë të pacientes dhe vërtetimit të rastit mjeku është suspenduar për një kohë nga puna”, ka thënë Kodra.
Së fundmi, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka identifikuar rreth 200 raste të keqpërdorimit të kartelave hyrje-dalje në punë në këtë institucion.
Gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni, Basri Sejdiu, gjatë ndërrimit të natës, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë. Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor, përfshirë edhe 2 infermierë.
Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ministri Uran Ismaili prej marrjes së mandatit ka pasur për qëllim përmirësimin e kushteve, jo vetëm për pacientët dhe përmirësimin e klinikave, por edhe për stafin mjekësor, siç ka ndodhur edhe rritja e pagës për kujdestaritë e mjekëve, derisa, siç ka thënë ai, është duke punuar intensivisht që me Ligjin për paga t’u sigurojë mjekëve edhe paga më të larta, çfarë i meritojnë.
“Por, janë zhgënjyese lajmet që vijnë nga disa klinika për mosrespektim të orarit të punës, ndonëse bëhet fjalë për një numër të vogël të profesionistëve shëndetësorë. Është marrë aksion për monitorimin e personelit mjekësor, për respektimin e vendit të punës nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar. Ata që nuk respektojnë orarin, do të sanksionohen sipas procedurave ligjore në fuqi,” ka thënë Matoshi.
Ai ka shtuar se monitorimi për respektim të orarit të punës, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Ky lloj monitorimi ka nisur me QKUK-në, por do të vazhdojë në gjithë Kosovën. Po synojmë që së bashku me profesionistët shëndetësorë, jo duke i përjashtuar ata, por duke i thirrur që t’i bashkohen këtij misioni që është i domosdoshëm dhe ka pasur nevojë të ndodhë kohë më parë. Ne jemi të bindur që shumica e mjekëve e bëjnë punën e tyre me nder dhe nuk do të lejojmë një pakicë t’i njollosë ata”, ka theksuar Matoshi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përmes linjës falas për qytetarë, që kanë të drejtë ankese, kanë pranuar rreth 60 ankesa të natyrave të ndryshme dhe 90 për qind e tyre tashmë janë proceduar./REL
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...
U paraqitën si kosovarë në Angli, Rama u premton regjistrimi...
Kurti mori pjesë në varrimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Behgj...
Arrestohen tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u sh...
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...