MPJ: Bosnja dhe Hercegovina nuk duhet ta ngatërrojë sportin me politikën

21:35 | 8 Gusht 2018
Arbresh Info

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje të thellë për vonesat e paarsyeshme, të stërgjatura dhe vështirësitë sistematike të procedurave të pajisjes me viza për anëtarët e Përfaqësueses U16 të Kosovës, në Kampionatin Evropian FIBA –U16, që do të mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës nga data 9 deri më datën 18 Gusht, 2018.

“Kosova është bërë anëtare e plotë dhe me të drejta të barabarta e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit tash e më shumë se tre vjet, andaj tentimi për të vënë pengesa politike me qëllimin e dukshëm për të rrezikuar pjesëmarrjen e Përfaqësueses së Republikës së Kosovës në këtë ngjarje sportive deri në momentet e fundit jo vetëm që shkell parimin bazë evropian të Lirisë së Lëvizjes, por edhe rregullat e vet Organizatës, gjë për të cilën ne do të kërkojmë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Sipas tyre, ushtrimi i presionit psikologjik disa ditor ndaj Përfaqësueses së Kosovës në lidhje me këto pengesa, përderisa ata sot është dashur, që të zhvillojnë stërvitjen e tyre në Sarajevë para përballjes në ndeshjen e parë kundër Bosnjë dhe Hercegovinës nesër është dashakeqëse dhe jo-sportive.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i rikujton Bosnje dhe Hercegovinës se përkundër qëndrimeve politike përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në sport kanë marrë pjesë, janë respektuar dhe nderuar me simbolet dhe flamurin e tyre shtetërorë edhe nga autoritetet shtetërore dhe përfaqësuesit e Federatës Ruse.

Ministria e Punëve të Jashtme thërret Bashkimin Evropian dhe shtetet aleate dhe parnere, që të reagojnë urgjentisht në lidhje më këtë çështje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme