Google ADS

SHBA përgatitet për sulme të mundshme kibernetike nga Irani

17:42 | 8 Gusht 2018
Arbresh Info

Ekspertë amerikanë të sigurisë kibernetike dhe zbulimit thonë se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për të përballuar sulme kibernetike që mund të kryhen nga Irani si hakmarrje për rivendosjen e sanksioneve këtë javë nga Presidenti Donald Trump.

Shqetësimi për kërcënimin kibernetik ka qenë në rritje që nga muaji maji, kur zoti Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, me të cilën SHBA-të dhe fuqitë e tjera botërore i lehtësuan sanksionet ekonomike ndaj Teheranit, në këmbim të kufizimit të programit të tij bërthamor.

Ekspertët thonë se kërcënimet priten të intensifikohen pas vendimit të Uashingtonit të martën për të rivendosur kufizimet ekonomike.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë veçuar Iranin si një nga kërcënimet më të mëdha kibernetike me të cilat përballet Amerika krahas Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut. Në një valë sulmesh mes viteve 2012 dhe 2014 për të cilën autoritetet amerikane fajësuan Iranin dhe që kishin në qendër bankat, shkaktuan dhjetëra miliona dollarë humbje. Ata vendosën gjithashtu në shënjestër pjesë të rëndësishme të infrastrukturës amerikane, por nuk arritën të depërtojnë. Irani mohon të ketë përdorur aftësitë e tij kibernetike për sulme dhe akuzon SHBA se ka vënë në shënjestër Teheranin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme