Arrestohet një grup i madh dhe i organizuar kriminal, kontrabandonin mallra nga Maqedonia

16:42 | 8 Gusht 2018
Arbresh.info

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kuadër të angazhimit të shtuar për luftimin e krimit të organizuar, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës, ka arritur që pas një hetimi njëvjeçar të arrestojë një grup të krimit të organizuar, i cili ka vepruar kryesisht përgjatë vijës kufitare Kosovë-Maqedoni dhe në rrethinën e Ferizajt.

Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Speciale, z. Sylë Hoxha, ka bërë të ditur se ky rast kishte filluar të hetohet nga vitit 2017, duke paralajmëruar se ndaj këtij grupi kriminal të arrestuar do të bëhet kërkesa për paraburgim dhe për vazhdimin e hetimeve të mëtejme për: veprat penale të organizimit të grupit kriminal nga neni 283, veprën penale të kontrabandimit të mallrave nga neni 317, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore nga neni 318, paragrafi 3 dhe për shmangie nga tatimi – neni 313, paragrafi 3 i KRPK-së.

Sylë Hoxha ka konfirmuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit kundër të pandehurve F.I, Z.M., XH, I., A.B., M.B., N.S., B.S., H.S, I.J., U.J., K.RR., J.J., D.B., A.I., H.A., G.Z., R.B., A.A., A.D dhe J.M, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer vepra penale, me ç’rast gjatë periudhës hetimore nga korriku i vitit të kaluar janë ndërmarrë 11 veprime operacionale, me qëllim të mbledhjes së dëshmive për krimin e organizuar dhe kontrabandimin e produkteve të ndryshme nga ana e tyre.

Nga dokumentacioni i siguruar, del se gjatë aktivitetit të tyre të pandehurit kanë kryer veprat e lartpërmendura në mënyrë të organizuar dhe të strukturuar, duke kontrabanduar mallra, si: cigare pa banderola dhe me banderola të Maqedonisë, duhan të grirë, tekstil, vajra motorike dhe prodhime farmaceutike.

Me këtë rast, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës njoftoi në takim se përveç 16 personave të arrestuar, në kërkim janë edhe 7 persona të dyshuar, kurse përfaqësuesi i Doganave të Kosovës, tha se totali i mallrave të kontrabanduara arrin vlerën e 1 milion eurove, kurse shuma e shmangieve të detyrimeve importuese arrin vlerën e përafërt prej afro 350 mijë eurosh, kurse vetëm gjatë operacionit të sotëm, vlera e shmangieve nga detyrimet importuese arrin afro 100 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme