Hoti i kundërpërgjigjet Thaçit: Qytetarët përmes zgjedhjeve do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun

14:51 | 8 Gusht 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës , Hashim Thaçi në një konferencë për media sot ka ftuar shefin e grupit parlamentar të LDK-së që të përfaqësoj Kosovën në bisedime me Serbinë.

Thaçi duke komentuar deklaratat e Hotit për Luginën ka thënë se ‘meqenëse pozicioni i këtij të fundit është i qartë dhe se sipas tij Medvegja e Presheva duhet t’i takojnë Kosovës, atëherë ftoj atë që ta përfaqësoj Kosovën në bisedime me Serbinë dhe, do ta ketë përkrahjen time por edhe të gjithë partive të tjera besoj’.

Arbresh.info ka kontaktuar shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotin për të marr një përgjigje lidhur me këto deklarata.

Hoti ka thënë se Thaçi nuk do të jetë ai që do ta përfaqësoj Kosovën në bisedime.

Qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z.Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendos për këto çështje. E ftoj z.Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai për Arbresh.info.

Sipas tij Presidenti Thaçi po i shkakton dëme shtetësisë së Kosovës me deklarime antikushtetuese.

Dëmet që z.Thaçi me deklarimet e tij antikushtetuese është duke ia bërë shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare janë të mëdha. Ai e ka nxjerrë jashtë funksionit krejt diplomacinë e Kosovës, si dhe diplomacinë e vendeve mike, duke stopuar plotësisht njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës e kanë vendosur fatin e Kosovës si shtet i pavarur, i integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Këtë nuk mund ta zhbëjë askush”, ka përfunduar Hoti./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme