Hajdutët bëjnë kërdi në Kosovë: Vranë dy njerëz e vodhën 2 mijë shtëpi

17:13 | 7 Gusht 2018
Arbresh.info

Hajdutët në Kosovë nuk po i kursejnë as jetët e njerëzve. Vetëm për të realizuar qëllimin e tyre, në këtë muaj hajdutët kanë vrarë dy persona në vendin e tyre të punës. Ndërsa kanë plaçkitur më shumë se 2 mijë shtëpi e lokale. Madje, sipas statistikave pothuajse çdo e 15-ta shtëpi në Kosovë është cak i vjedhjeve, shkruan Gazeta Express.

E shtuna e katër korrikut ishte dita e fundit e punës për Behram Ibishin nga Fushë Kosova. Ai po atë natë u vra nga hajnat në një kompani private, ku punonte si roje gati që 20 vite. Ende askush s’është arrestuar për këtë krim. Ky është krimi i dytë brenda një muaji kur një rojtar vritet në vendin e punës nga hajnat.

Por, nuk ishin vetëm këto kompani që ishin cak i hajnave. Pothuajse çdo ditë në vend plaçkiten rreth 15 shtëpi, lokale e banesa. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në vend janë evidentuar 2 mijë e 875 vjedhje.

E gjithë kjo sipas statistikave për numrin e vjedhjeve në periudhën janar-qershor të 2018-ës, që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës.

Në bazë të këtyre statistikave ndonëse numri i vjedhjeve po shënon rënie nga viti në vit, prapë shifrat mbesin të larta. Mbi 10 mijë vjedhje kanë ndodhur në dy vitet e fundit në vend.

“Gjatë vitit 2016 janë evidentuar 6105 vjedhje, në vitin 2017 janë evidentuar 5735 vjedhje, apo shprehur në përqindje rreth 6 % më pak se në vitin paraprak. Kurse, në gjashtëmujorin e parë 2018 (janar-qershor) janë evidentuar 2875 vjedhje”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Por, përveç që po plaçkiten shtëpitë, në vend po vidhet edhe mali. Rreth 300 raste të vjedhjeve të pyllit përmenden në raportin vjetor të Policisë së Kosovës për vitin 2017.

E qytetet në të cilat ndodhin më së shumti këto raste po del të jenë Prishtina, pasuar nga Prizreni dhe Peja.

Për të kryer këto vjedhje, hajdutët nuk po i kursejnë as xhamitë. Hiç më larg se sot është raportuar në Polici se në një prej xhamive në vend, hajdutët kanë vjedhur mikrofonat.

Por, edhe pse ka kaq shumë vjedhje në Polici thonë se në krahasim me vitet e kaluara, numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie.

‘Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 6105, në 5735, ose rënie për 6.06%, ndërsa numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 5601 në 5222, ose rënie për 6.76%’, theksohet në raportin vjetor të punës së policisë.

Por, disa prej personave edhe pse kryen vjedhje, në fund ata edhe u ‘shpërblyen’. I tillë është rasti i Ali Rugovës. Njëri nga të burgosurit të falur nga Presidenti Thaçi ka qenë në burg për veprën penale “vjedhje të rëndë”.

Rugova kishte qenë i dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim për vjedhje të rëndë. Atij i ishin falur më pak 3 muaj, pasi dënimi i rregullt kishte qenë deri më datën 20 korrik të 2017-ës.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme