Çfarë thoshte Rugova më 1992 rreth ndarjes së Kosovës

21:57 | 6 Gusht 2018
Arbresh.info

Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90’të. Për këtë është pyetur edhe Ibrahim Rugova në intervistën e dhënë për “Der Spiegel” gjatë 8 qershorit 1992.
“Serbët shikojnë me këtë ‘ndarje’, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”, thoshte Rugova, transmeton AlbInfo.ch.

Der Spiegel: A do të kthehet Kosova në betejë të ardhshme të Ballkanit?

Ibrahim Rugova: Ushtria Jugosllave është e dërmuar pas disfatës së rëndë në Slloveni, duke dashur që këtë ta mbulojë me ndonjë luftë tjetër. Udhëheqësi serb, Slobodan Milosheviq është i pasigurt, shtuar kjo edhe pas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Nëse ai do të vendoste intervenim ushtarak kundër Kosovës, atëherë nuk do të ishte çudi nëse edhe OKB-ja do të ndërhynte ushtarakisht. Personalisht do kërkoja ndihmë ushtarake nga jashtë, nëse Serbia e kërcënon Kosovën.

Der Spiegel: Presidenti kroat, Tuxhman, ka kërkuar disa herë që shqiptarët të hapin frontin e jugut kundër Serbisë. A jeni tërhequr ju nga ky front?

Rugova: Indirekt Po. Neve shpesh na është kërkuar të mbështesim politikën pasive të rezistencës gandiane. Fatkeqësisht koalicioni mes sllovenëve, kroatëve dhe shqiptarëve është shembur. Gati një vit unë s’kam kontakte me Zagrebin.

Spiegel: Serbia pretendon se shqiptarët e Kosovës janë deri në dhëmbë të armatosur?

Rugova: Vlen e kundërta, ne s’kemi armë zjarri.

Spiegel: A ka shanse që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës?

Rugova: Njohja e Kosovës është më e mirë se e kundërta e saj – domethënë se një krizë permanente në kufijtë e Serbisë. Ne jemi të gatshëm të shpallim një shtet neutral dhe të evitojmë bashkimin me Shqipërinë. Megjithatë, bashkimi me Shqipërinë është qëllimi ynë natyral.

Der Spiegel: Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e ish-Jugosllavisë janë të paprekshëm?

Rugova: Udhëheqësia shqiptare është nën presion, pasi edhe situata ekonomike në Tiranë është e rënduar. Por, kjo nuk vlen nëse do të kishte luftë. Ata do të na ndihmonin në një gjendje të tillë.

Der Spiegel: Për çfarë ndihme bëhet fjalë?

Rugova: Në gjendje lufte me ne do solidarizoheshin edhe shqiptarët e Maqedonisë. Atje janë rreth 40% dhe jo 20% siç pretendohet nga regjimi i Shkupit. Natyrisht unë shikoj rrezikun e ndërkombëtarizimit të konfliktit, pasi edhe Bullgaria mund të kyçej në luftë nëse “destabilizohej” Maqedonia, duke u shfaqur si shpëtuese.

Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?

Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore ti takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë.

Der Spiegel: Kosova në vitin 1974 de fakto kishte statusin e republikës, pse erdhi deri në protestat e dhunshme të 1981.

Rugova: Prej çlirimit nga turqit ne dëshironim shtetin tonë të pavarur. Në Jugosllavinë e 1918 ne nuk përfaqësoheshim si pjesë e Serbisë, por të pavarur, pra si Kosovë. Për kombin tonë është tragjedi të jemi nën shtypjen serbe.

Der Spiegel: Si e sqaroni ju këtë shtypje?

Rugova: Ne asnjëherë s’kemi pasur të drejtat të njëjta me kombet tjera. Prej 1990 janë arrestuar dhe burgosur 100.000 shqiptarë, nga punëtori i thjeshtë deri te profesorë të njohur. Papunësia te shqiptarët sot arrin 90%. Situata ekonomike është katastrofale. Mbijetesa jonë është falë remitencave të diasporës.

Der Spiegel: Kryeministri serb ju ka ftuar për takim në Beograd. Do shkoni ta takoni?

Rugova: Nuk kam marrë dakordësi nga “gjithë partitë e Kosovës” për të zhvilluar bisedime. Edhepse serbët janë zhytur deri në fyt, ata duan ti tregojnë botës se janë të gatshëm për bisedime. Ne e dimë prej tani se policia në Kosovë kërkon të pezullojë parlamentin e Prishtinës qoftë edhe me dhunë. Për Kosovën duhet të ketë takime, por më së miri me ndërmjetësimin e shteteve të Evropës.

Der Spiegel: Sa kohë ka mbetur deri te zgjidhja paqësore?

Rugova: Numri i radikalëve rritet nga ditë në ditë. Fatmirësisht e mbaj situatën akoma në kontroll- por me shumë vështirësi. Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë patriotë, duke u shqetësuar për të ardhmen. Por unë nuk mund të premtoj, që ata një ditë të kthehen në nacionalistë. Jugosllavia është shpërbërë. Të gjitha kanë krijuar shtetet e tyre, por çdo ndodhë me 2 milionë shqiptarët?

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme