Google ADS

Portugezët luftojnë me flakët, në Spanjë shënohen 3 viktima

09:55 | 5 Gusht 2018
Arbresh.info

Ndërsa temperatura i afrohej nivelit rekord kombëtar në jug të Portugalisë, qindra zjarrfikës luftuan me zjarret në një pyll të zonës Algarve, një destinacion tejet popullor turistik.

Dy fshatra në zonën kodrinore Monchique u evakuuan si masë paraprake.

Më shumë se 700 zjarrfikës u ndodhën në vendngjarje, ndërsa 11 avionë me ujë u përdorën nga ajri për të luftuar flakët e zjarrit.

Rrymat e ngrohta që vijnë nga Afrika e Veriut kanë shkaktuar një nga valët më të nxehta në gadishullin Iberik që prej vitit 2003, vit i cili mbahet mend si më i keqi në histori sa u përket zjarreve nëpër pyje.

Autoritetet janë në gatishmëri të lartë prej një jave tashmë, në përpjekje për të shmangur përsëritjen e zjarreve të vitit të kaluar, prej të cilëve mbetën të vdekur 114 persona.

Portugalia ka ndërmarrë një sërë masash, përfshi edhe sistemin e paralajmërimit me mesazhe ndaj atyre që mund të vihen në rrezik. Qeveria ka punësuar me qindra zjarrfikës të tjerë, ndërsa ka urdhëruar pronarët e tokave të pastrojnë shtresat e bimësive që mund të ndihmojnë edhe më shumë zjarret.

Portugalia nuk është e vetmja. Vala e të nxehtit ka prekur të gjithë Europën, por më së shumti gadishullin Iberik, përfshi Spanjën. Temperaturat po arrijnë nivelet rekord në të gjithë historinë e pritet të mbesin mbi 40 gradë Celsius, të paktën edhe këtë të dielë.

Por, një rritje e pritshme me dy apo 3 gradë do të thyente edhe rekordin e temperaturave në Europë prej 48 gradë Celsius, të regjistruar në Athinë në vitin 1977. Lisbona pritet të jetë një nga qytetet më të nxehta të kësaj fundjave, ndërsa në Spanjë, temperaturat përvëluese kanë shkaktuar të paktën 3 viktima deri më tani.

Në Francë, automjetet u rreshtuan në radhë në të ashtuquajturën “E shtuna e zezë”, dita më e ngarkuar për trafikun, teksa pushuesit nisin udhëtimet e tyre për në destinacione të ndryshme. Por, këtë vit ata po shoqërohen me temperatura ekstremisht të nxehta. Më shumë se 700 km bllokime e radhësh u regjistruan në Spanjë gjatë së shtunës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme