Google ADS

Bletët frymëzim për hulumtuesit e dronëve

00:01 | 5 Gusht 2018
A. B.

Megjithë përparimet e mahnitshme në robotikë, makineritë e kanë të vështirë të arrijnë atë që është rutinë për insektet. Kështu që hulumtuesit e robotikës i janë përkushtuar eksperiencës miliarda vjeçare që ofron natyra.

Ata po mësojnë nga bletët se si të ndërtojnë mjete fluturuese që mund të mësojnë dhe të drejtohen brenda mjedisit të tyre.

Truri i tyre mund të jetë i vockël por bletët mund të bëjnë shumë më tepër se dronët e sotëm, thotë Alex Dewar në Universitetin Sussex.

“Bleta punëtore është në gjendje të dalë dhe të mësojë mjedisin, të gjejë lule, të mbledhë nektarin dhe të kthehet në fole. Pastaj këto të dhëna i komunikon tek bletët e tjera.”

Zoti Dewar thotë se një dron me një kompjuter të fuqishëm që vetmësohet ka nevojë për bateri të fuqishme.

“Nëse shton peshën, kontrolli bëhet më i vështirë, kërkon më shumë fuqi dhe kështu me radhë. Ideja është nëse mund të mësojmë diçka nga bletët e mjaltit në veçanti, insektet në përgjithësi, në aspektin e energjisë efikase për kryer veprime autonome.”

Projekti “Brains on Bord” studion trurin e insekteve dhe sjelljet e tyre, për përdorim si model tek dronët inteligjentë.

Për shembull, programuesit mund të mësojnë se si bletët orientohen në mjedisin e tyre, thotë profesori Andy Philippides në Universitetin Sussex.

“Ato sillen rreth folesë gjë që i ndihmon të orientohen në atë mjedis. Faza tjetër për ne është se si t’i përdorim këto të dhëna në dronët tanë për të strukturuar informacionin që vjen, që ta bëjmë sa më të lehtë procesin e vetmësimit dhe navigimit.”

Projekti ka mbledhur sëbashku biologë dhe ekspertë të teknologjisë kompjuterile dhe robotike.

“Po studiojmë bletën në shkallë të ndrysme. Përmes realitetit virtual po regjistrojmë ato që ndodhin brenda neuroneve në një shkallë shumë të vogël. Në shkallë të lartë kemi eksperimetet me radarët, regjistrimin e neuroneve ..dhe e gjithë puna është që të gjitha këto t’i bashkojmë në një model”, thotë Andy Philipides.

Ekipi shpreson që brenda një viti do të ndërtojë një dron që fluturon në mënyrë autonome.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme