Beqiri i reagon Thaçit: Është e pandershme të na tregosh çka ka menduar Rugova dikur

19:37 | 4 Gusht 2018
V. S.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci ka dhënë sot një deklaratë për Ibrahim Rugovën dhe Sali Berishën, e që ka ngjallur reagime të shumta.

Thaci ka thënë se sa ishte presidenti historik, Rugova gjallë, e ka penguar ardhjen e Berishës në Kosovë.

Për këtë ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri. Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se është e pandershme që presidenti Thaçi të flas për Rugovën.

“Është shumë e pandershme, e padrejtë dhe e papranueshme që ai me fol e me na treguar se cka ka menduar apo si ka vepruar Presidenti historik Ibrahim Rugova. Më së paku kanë të drejtë ata që për të gjallë të tij,para, gjatë luftës dhe pas çlirimit të Kosovës e kanë penguar, fyer, kërcënuar, por asnjëherë nuk kanë mundur ta ndalin dhe ta frikësojnë”, ka theksuar Beqiri.

Përkundrazi, sipas tij, dikush edhe sot vuan nga vogëlsia e Thacit karshi madhështisë së Rugovës.

“Nuk ia bëj avokatin askujt, as Sali Berishes, ai sigurisht do të flas vet, por nuk duhet luajtur Prokurorin që fshihet mbi 25 vite, e tani fol për të bërat apo pabërat e dikujt. Kosova, qytetarët e saj, edhe LDK-ja, e din mirë kush ishin miqtë e saj, përkrahësit e saj dhe të Presidentit Ibrahim Rugova, në Shqipëri e kudo tjetër, e dimë edhe ne bashkëpunëtorët e tij”, ka thënë tutje Beqiri.

Ai ka shtuar se presidenti Rugova mbetet i madh sepse ishte i tillë, duroi shumë shpifje, të pavërteta, intriga, kërcënime dhe me mençuri ruajti veten dhe qytetaret e Kosovës, duke u thënë jo “thikave” mes qytetarëve.

“Çka na duhen sot tema të tilla….,kujt i shërbejnë? Kosova është shtet i pavarur, me sovranitet dhe integritet territorial, të garantuar me Kushtetutën e saj, e ndarja, korrigjimi i kufijve, janë fjalë dhe lojëra, por të rrezikshme”, ka përfunduar Beqiri. /Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme