Thaçi fton qytetarët dhe institucionet të përmbahen nga provokimet dhe të ruajnë qetësinë

11:16 | 4 Gusht 2018
Arbresh.info

Kreu i shtetit Hashim Thaçi, përmes një deklarate për media u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, që të përmbahen nga çdolloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje historike, ligjërisht të detyrueshme, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është deklarata e plotë e Thaçit:

Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje historike, ligjërisht të detyrueshme, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë këtij rrugëtimi të domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor, Republika e Kosovës do t’i përmbahet me përpikëri zotimeve për të ruajtur qetësinë dhe mos rrezikuar në asnjë mënyrë objektivin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, bazuar në marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Prandaj, si president i vendit u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, që të përmbahen nga çdolloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme