Haradinaj: Kushdo që ndërmerr veprime jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare do të përballet me rendin e ligjin

08:46 | 4 Gusht 2018
Arbresh.info

Kushdo që tenton të ndërmarrë veprime jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura në Bruksel do të përballet me rendin dhe ligjin.

Kështu ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten, menjëherë pasi ka mbajtur një mbledhje urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Takimi është realizuar pas raportimeve të fundit për mundësinë e zhvillimeve të reja në veri të vendit, në ditën e fundit kur pritet të dorëzohet Draft-marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Temë e ditës ishte gjendja e rendit dhe e ligjit e sigurisë në vend, duke iu referuar ngjarjeve të fundit politike, pastaj reflektimi i afateve kohore që lidhen me Asociacionin. Kam kërkuar rritjen e gatishmërisë të institucioneve të rendit dhe ligjit”, ka deklaruar Haradinaj para medieve.

Sipas tij, siguria është e qetë dhe stabile.

Retorika për shkëmbim territoresh në Kosovë, sipas tij, është kundërreagim i një retorike që vjen nga Beogradi./Koha Ditore

Të ngjashme