Evropa po përvëlohet, temperatura shumë të larta

17:31 | 3 Gusht 2018
Arbresh.info

Ndërsa Evropa përvëlohet në një tjetër valë të nxehti, parashikuesit e motit thonë se rekordi i të gjitha kohërave mund të thyhet këto ditë.

 

Rekordi aktual evropian është 48 gradë Celsius, i regjistruar në Athinë në korrik të vitit 1977. Temperaturat po rriten në Spanjë dhe Portugali, ndihmuar edhe nga një valë ajri të nxehtë që vjen nga Afrika, e madje edhe vendi ynë nuk po i shpëton këtij trendi.

Sipas “BBC Weather”, temperaturat e parashikuara për Spanjën Jugperëndimore dhe Portugalinë Juglindore është 47 gradë Celsius për të premten dhe të shtunën.

Rekordi kombëtar i Portugalisë është 47.4 gradë Celsius dhe është vendosur në vitin 2003. Ndërsa kulmi në Spanjë është prej 47.3 gradë Celsius, i vendosur në korrik të vitit të kaluar.

Në Britaninë e Madhe, temperaturat pritet të arrijnë në rreth 33 gradë Celsius në Juglindje.

Në Spanjë dhe Portugali ndërkaq lëshuar ndërkaq alarmet, që do të jenë në fuqi të paktën deri të dielën. “Meteoalarm” ka ndezur alarmin e kuq, që do të thotë se situata është shumë e rrezikshme dhe përbën kërcënim për jetën e njeriut, dhe jo vetëm për pjesën më të madhe të Portugalisë Jugore dhe provincës Badajnoz në Spanjë.

Italia ka lëshuar po ashtu alarmin e kuq për zonën qendrore të saj dhe veriun, përfshirë qytete që tërheqin shumë turistë si Roma, Firence dhe Venecia.

Sipas “Meteogroup”, ka një mundësi prej 40 përqindësh që rekordi i Athinës prej 48 gradë Celsius të arrihet dhe 25-30 për qind mundësi që rekordi evropian të thyhet.

Edhe temperaturat gjatë natës do të variojnë nga 25-30 gradë Celsius për rajonin. Situata është kritike në të gjithë kontinentin. Maja më e lartë e Suedisë, një akullnajë, po shkrihet me disa centimetra në ditë. Shkencëtarët që monitorojnë situatën thonë se, akullnaja do të humbasë titullin e majës më të lartë atje.

Në Norvegji, autoritetet u kanë kërkuar shoferëve të kenë kujdes nga drerët dhe delet, që po zgjedhin të hyjnë në tunele për t’i shpëtuar diellit. Vera e gjatë dhe e nxehtë ka vënë në vështirësi edhe birraritë gjermane, që kanë shitur aq shumë birra, saqë tani nuk kanë më shishe.

Ndërkohë që niveli i lumit Elbë atje ka rënë në nivele jashtëzakonisht të ulëta, duke çuar edhe në zbulimin e granatave dhe municioneve të Luftës së Dytë Botërore./ Top Channel/

Të ngjashme