Mesazhe pro dhe kundër referendumit në festën e Ilindenit

08:32 | 3 Gusht 2018
Arbresh.info

Referendumi i ardhshëm dhe marrëveshja me Greqinë dominuan në fjalimet e krerëve shtetëror në kremtimin e Ditës së Republikës – 2 Gushtit Ilinden.

Kryeministri Zoran Zaev nga Pelince dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nga Shkupi dërguan mesazhe se kjo është rruga e vetme deri te qëllimi strategjik – Maqedonia prosperuese dhe evropiane, njofton AIM.

Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, nga Krusheva duke e kritikuar marrëveshjen tha se ai është rezultat i mburrjes dhe përsëriti se nuk do ta pranojë. Për liderin e opozitës OBRM-PDUKM, Hristijan Mickoski thirrjet e qeverisë për unitet janë vetëm fjalë, ndërsa veprat janë ndryshe.

Kryeministri Zoran Zaev apeloi tek qytetarët që të dalin në referendum më 30 shtator dhe të thonë “po” për gjeneratat e ardhshme dhe për ardhmërinë e Maqedonisë, tha se Marrëveshja me Greqinë është patriotike dhe se me të ruhen identiteti, gjuha dhe shtetësia e Maqedonisë dhe bëri thirrje për unitet, në vend të ndarjeve.

Edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi para përmendores së Metodija Antonov – Çento në Shkup i ftoi qytetarët dhe opozitës që ta mbështesin plotësimin e Marrëveshjes me Greqinë për emrin.

“Ilindeni është një nga datat themelore në historinë e Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj të cilët kanë pasur një qëllim të vetëm, shtet të lirë, të pavarur në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut do të jetë e barabartë për të gjithë pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, ose çfarëdo lloj karakteristike tjetër”, theksoi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Shefi i shtetit Gjorge Ivanov në fjalimin e tij në Meçkin Kamen e përsëriti qëndrimin se është kundër Marrëveshjes së Prespës dhe tha se asnjë individ nga asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë të niset me emrin dhe identitetin.

Sipas Ivanov, qytetarët e Maqedonisë janë bashkuar rreth idesë për anëtarësim në BE dhe NATO, por atje duan me emrin, dinjitetin dhe nderin e tyre.

Qëndrimet të ndryshme rreth referendumit dhe marrëveshjes me Greqinë i treguan edhe disa vizitorë në tubim. Fjalimi i presidentit Ivanov u përshëndet me brohoritje të emrit të tij dhe thirrje raciste ndaj shqiptarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme