Pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, 15 vjet më parë, që t’i tërheqë nga Bosnjë e Hercegovina dhe nga Kosova ushtarët që kishin marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse, në Rusi po punohet në mënyrë aktive për ta madhëruar praninë ushtarake ruse në Ballkan.
Kinematografia ruse po i xhiron dy filma të shtrenjtë me rastin e 20-vjetorit të operacionit “Marshi” të parashutistëve rusë nga Bosnja e Hercegovina në aeroportin e Prishtinës në Sllatinë, në qershor të vitit 1999. Punën në këta filma po e përcjellë fushata kundër NATO-s dhe përfshirja e aktorëve serbë në legalizimin e aneksimit të Krimesë.
“Rrëfimi është bazuar në ngjarjen e vërtetë!”, thekson kompania ruse e filmit Upgrade Vision dhe në këtë mënyrë e paralajmëron “dramën heroike” Linja Ballkanike, e cila në fillim të vitit 2019 do të shfaqet para publikut në 20 shtete.
“Është viti 1999. NATO po e bombardon Serbinë dhe po Kosovën po ia lë plaçkitjes së banditëve shqiptarë. Rusisë i është ofruar rol i vogël dhe i turpshëm për zgjidhjen e konflikteve në Kosovë. Aeroporti në Sllatinë kalon nën kontrollin e komandantit shqiptar Smuk. Pjesëtarët e inteligjencës ruse, Andrej Shatalov dhe Bek Jethojev e marrin aeroportin. Nga Bosnja, në marshin prej 600 kilometrash për në Kosovë, niset batalioni rus. Detyra e tyre nuk është vetëm kontrolli mbi aeroportin, por edhe shkatërrimi i çerdhes së Smukut dhe çlirimi i vajzës Shatalova, të cilën banditët e kanë zënë rob për të bërë kontrabandë me organe. Rusia, pas euforisë me Perestrojkën, e kuptoi se ka interesat e saj, të cilat duhet t’i mbrojë. Filloi epoka e re”, sqaron përmbajtjen e filmit kompania Upgrade Vision.
“Historianët i konsiderojnë këto ngjarje si përkeqësimin më të rrezikshëm të marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit që nga koha e krizës së Karaibeve. Linja Ballkanike flet për operacionin fatal, detajet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë të mbyllura për opinionin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Kulturës së Rusisë.
Njëri prej autorëve të filmit, i cili kërkoi të mbetej anonim, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rrëfim “aksenti vendoset në faktin që Serbia është pala shumë e goditur në konflikt”.
“Mjaft ngjarje në Kosovë janë trilluar në mënyrë që të nxitet bombardimi i NATO-s dhe kjo do të shfaqet në film”, ka thënë bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, autorët janë inspiruar me rrëfimet e disa rusëve që kanë qenë në Ballkan në luftërat e viteve 90. Në mesin e tyre është edhe majori i shërbimit të inteligjencës GRU (ai është tash kryetar i Ingushetisë) Junus -Bek Jevkurov, i cili nga komanda ruse, në fund të majit të vitit 1999, kishte marrë detyrë sekrete që ta marrë kontrollin mbi aeroportin në Sllatinë. Personi tjetër interesant është Anatolij Lebed, “legjendë” e forcave speciale, të cilin kolegët e tij e quanin “Rambo rus”.
Lebed, i cili është bartës i shpërblimeve më të mëdha ushtarake, në vitin 1994 është dashur ta braktisë ushtrinë dhe ka punuar si rojtar në treg, si dhe ka bërë kontrabandë me automjete nga Gjermania. Lufta në Ballkan ia ka mundësuar atij që të kthehet në radhët e ushtrisë: ka shkuar në Kosovë dhe ka luftuar në anën e serbëve.
Rolet kryesore në film do t’i luajnë aktorët: Gosha Kucenko, Ravshana Kurkova, Anton Pampushni, si dhe disa aktorë serbë.
Në mesin e tyre janë edhe idhulli i miliona djemve sovjetikë, “indiani” më i njohur, Gojko Mitiq dhe ylli i ri i kinematografisë ruse, Milosh Bikoviq, të cilin, para disa vitesh, e kishte njohur regjisori rus më me ndikim, Nikita Mihalkov.
Para pak kohësh, ekipit të aktorëve i është bashkuar edhe Emir Kusturica, të cilit në vitin 2016, Vladimir Putin ia kishte ndarë “Dekoratën e Miqësisë”, për shkak të “meritave të veçanta në forcimin e paqes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet popujve” (bartës të kësaj dekorate në Serbi janë edhe Ivica Daçiq, Nenad Popoviq dhe Tomisllav Nikoliq).
https://www.instagram.com/p/BZbj6zjAxwp/?utm_source=ig_embed&utm_campaign=embed_loading_state_control
Filmi, pjesërisht është xhiruar në Krime. Më pas, të gjithë ata që ishin shtetas të Serbisë, janë gjetur në listën e faqes së internetit të Ukrainës “Mirotvorec”, për shkak të pjesëmarrjes në aktivitetet propaganduese dhe të legalizimit të aneksimit të Krimesë. “Mirotvorec” është pozicionuar si pjesë e Qendrës për hulumtimin e krimeve kundër bazës së sigurisë nacionale të Ukrainës.
Kjo faqe e internetit i publikon të dhënat personale të njerëzve, të cilët i konsideron si separatistë ose “agjentë të Kremlinit”.
Gjithashtu, aktorët serbë janë angazhuar në promovimin e vlerave të përbashkëta sllave në mediat ruse, si dhë në luftën kundër politikës së NATO-s. Përderisa Milosh Bikoviq flet për kodin e përbashkët historik dhe kulturor, si dhe për rezistimin ndaj presioneve të Perëndimit, Gojko Mitiq, thotë se NATO ia ka vrarë nënën.
Ministria e Kulturës e Serbisë, siç i është konfirmuar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, për xhirimin e “Linjës Ballkanike” ka ndarë 24 milionë e 880 mijë dinarë (210 mijë euro), duke konsideruar këtë si projekt të rëndësisë nacionale.
“Qendra e Filmit e Serbisë ia ka bartur mjetet shtëpisë së produksionit Archangel studios nga Beogradi”, i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, Ministria serbe.
Ministria e Kulturës ruse nuk i është përgjigjur kërkesës lidhur me financimin e projektit.
Buxheti i tërësishëm i filmit është vlerësuar të jetë 230 milionë rubla (mbi 3 milionë euro), ndërkohë që priten fitimet prej rreth 525 milionë rubla (mbi 7 milionë euro).
Në ekipin e produksionit është Vadim Birkin, i cili ka përvojë me filmat e njohur patriotik, sikurse të ashtuquajturit “blockbuster” filma historik “Jaroslav”, “Para një mijë vjetësh”, për të cilin Roskultura 2007 ka ndarë rreth 1 milion dollarë dhe ka qenë një nga ngjarjet kryesore gjatë kremtes së Mileniumit të qytetit Jaroslavlja.
Me organizimin ishte marrë ekipi i guvernatorit Anatalij Lisicin, i cili ka pasur për këshilltar Birkinin.
Viteve të fundit, për Ballkanin është interesuar edhe Lisicin. Ai ka qenë i angazhuar për restaurimin e varrezave ruse në Serbi nga Lufta e Parë Botërore, si dhe për hapjen e shkollës “Valentina Tereshkova”.
Vladimir Birkin ka thënë për Radion Evropa e Lirë se filmi i ri do të jetë spektakolar. Megjithatë, ai nuk pranoi të flasë për shpenzimet.
“Buxheti i filmit është më i vogël se sa që paraqitet në internet. Përderisa projekti nuk përfundon ,nuk ka kuptim të flasim për shifra konkrete. E kemi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Rusisë dhe të asaj të Serbisë, kemi investime private dhe mjete personale”, ka thënë Birkin.
Sipas tij, autorët e filmit e kanë mendjen fillimisht tek opinioni rus dhe konsiderojnë që skenari i tyre mund të sjellë emocione të panevojshme në Ballkan.
“Nuk është e mundur që të anashkalohen marrëdhëniet ndërmjet popujve ballkanik, por kjo nuk është çështja më e rëndësishme në film. Nuk kemi ‘serbë të mirë’ dhe ‘shqiptarë të këqij” ose anasjelltas – ‘shqiptarë të mirë’ dhe ‘serbë të këqij’. Ky është një imazh i rrafshët, ashtu siç edhe është vetë situata në Ballkan. Ndërkaq, banditi është bandit dhe ai mund të jetë shqiptar ose serb, sikurse në filmin e Angelina Jolie, ‘Në tokën e gjakut dhe mjaltit’, mund të jetë kroat. Nuk duhet të ndërlidhet me nacionalitetin. Për çdo rast, ne kemi pasur detyrë të tillë”, theksoi Birkin.
Në Rusi, gjithashtu, është duke u përgatitur edhe një film, pa “yje” serbe, por me skenarë të ngjashëm. Sipas urdhrit të televizionit rus NTV, e cila viteve të fundit është e njohur kryesisht për “demaskimin” e opozitës politike ruse, po xhirohet filmi “Batalioni”. Kjo është një dramë ushtarake-historike me 4 seri, në të cilën 10 agjentë të inteligjencës përpiqen që ta mbrojnë territorin nga armiku 60 herë më i fuqishëm.
Esenca qëndron në atë që komanda ushtarake e Rusisë merr vendim që ta vendosë kontrollin mbi aeroportin e Prishtinës, në mënyrë që të pengojë gjenocidin mbi popullin serb nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e udhëheqë Brahimi.
Njeriu i vetëm i cili mund të ndihmojë dhe të sigurojë armatimin është vëzhguesi Andrej (Maksim Shjogoljev), i cili më herët është “futur’ në ushtrinë e Kosovës. Por, për kryerjen e detyrës, Andrejan e pengojnë romët, të cilët e kanë kidnapuar Venerën, vajzën e Brahimit, në të cilën është i dashuruar agjenti rus. Andrejit i duhet që të bëjë një zgjidhje të rëndë ndërmjet detyrës ndaj atdheut dhe nderit të vajzës që dashuron. Filmi po xhirohet në Republikën e Adigesë, në aeroportin e mbyllur të qytetit Majkop.
Në hapësirën e informacionit, konflikti politik i Rusisë me vendet e Perëndimit për shkak të Kosovës, në pjesën e parë të vitit 1999, duket dramatik dhe përmendet madje edhe Lufta e Tretë Botërore.
Por, pavarësisht aksioneve spektakolare, sikurse kthimi i aeroplanit të Jevgenije Primakovit mbi Oqeanin Atlantik, në prapavijën e bombardimeve të Serbisë, Rusia dhe vendet perëndimore janë shfaqur në kontekstin e krizës së Kosovës, kryesisht si partnerë. Moska i ka mbështetur disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, përfshirë edhe embargon për dërgimin e armëve dhe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kishte vazhduar kërkimin e një zgjidhjeje politike së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.
Mbetet çështje tjetër fakti që ai dialog ka qenë i vështirësuar për shkak të veprimit të NATO-s pa mandat të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që qëndrimi i pjesës ushtarake dhe politike të delegacionit rus në bisedime nuk ishte gjithmonë unanim. Sidoqoftë, Moska, para së gjithash, mëtonte ta forcojë rolin e saj në Kosovë, duke kërkuar status të veçantë për ushtarët.
Humbjet e Real Madridit, Carlo Ancelotti: Kemi gjetur proble...
Konjufca priti në takim pjesëtarë të Korit Siparantum, i për...
Fitorja e Trump në SHBA dhe çoroditja e argatëve të Serbisë ...
Shpërthimi i gripit të shpendëve/ Austria shpall gjithë vend...
Anulohet televotimi i së hënës për shkak të zhvillimeve në s...
Goditet grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës në Itali, “m...