Ambasadorja e Britanisë në Kombet e Bashkuara, Karen Pierce u bëri thirrje Prishtinës e Beogradit që të mos mirren shumë me çështje taktike në Këshillin e Sigurimit të OKB, por me ndihmën e BE-së të bëjnë përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve, meqë kjo është e vetmja mënyrë që të përparojnë në drejtim të integrimeve europiane.
“Dëshiroj të nxisë të dy palët që këtu (në Këshillin e Sigurimit të OKB) të mos angazhohen së tepërmi në çështje taktike, por t’u kthehen qëllimeve më madhore dhe të investojnë të gjitha përpjekjet bashkë me përfaqësuesen e lartë të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve”, citojnë mediat deklaratën e ambasadores Pierce pas mbledhjes së parë të Këshillit të Sigurimit të OKB nën kryesimin e Britanisë, transmeton Koha.net.
E pyetur nga gazetarët për shmangien e shqyrtimit të Raportit të rregullt mbi punën e UNMIK-ut nga rendi i ditës së KS të OKB për muajin gusht, Pierce u përgjigj: “Këshilli i Sigurimit duhet të fokusohet në çështjet më thelbësore të paqes e të sigurisë ndërkombëtare, ndërsa çështja e Kosovës, ndonëse vazhdon të jetë çështje me rëndësi rajonale europiane nuk e ka më intensitetin si më 1999, që do të kërkonte mbledhje të rregullta në KS të OKB”.
Ambasadorja britanike theksoi se “më me rëndësi është që Serbia dhe Kosova, bashkë me BE-në që po iu ndihmon, të shkojnë përpara në realizimin e marrëdhënieve, meqë vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve do të muan të arrijnë përparimin në rrugën e integrimeve në BE, që ka rëndësi vitale për të dy popujt dhe për të dy ekonomitë”.
Britania e Madhe dhe vende të tjera të Perëndimit qysh më herët kanë kërkuar ndryshimin e formatit dhe të dinamikës së mbledhjeve për Kosovën, si dhe për zvogëlimin e buxhetit për UNMIK-un, të bindura se situata në Kosovë nuk përbën më kërcënim real për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, transmeton Koha.net.
Por, Beogradi vazhdon të këmbëngulë se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur dhe se situata në terren flet për nevojën e pranisë dhe të angazhimit të mëtejshëm të UNMIK-ut si dhe për vëllimin dhe mandatin e pandryshuar të tij.
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...