Po bëhen pesë vjet prejse është lëshuar për qarkullim autostrada “Ibrahim Rugova”, që e lidh Kosovën me Shqipërinë. Por, nuk shkoi as edhe një muaj prej kur kaloi vetura e parë në të e u përgjak.
Vetëm disa ditë pas përurimit, aty e gjetën vdekjen dy persona, gjersa mbetën të lënduar 29 të tjerë. Për dy muaj në këtë rrugë ndodhën 99 aksidente, shkruan Gazeta Express.
Ndërsa, qëkur është lëshuar kjo autostradë për qarkullim, në të kanë ndodhur 1 mijë e 735 aksidente, 35 prej të cilave kanë përfunduar edhe me fatalitet, ku mbetën të vdekur 39 persona.
“Që prej janarit të 2014-ës e deri në qershor të këtij viti në autostradën “Ibrahim Rugova”, janë regjistruar 35 aksidente fatale, 39 aksidente me persona të vdekur, 576 aksidente me lëndime, 1 mijë e 384 aksidente me dëme materiale”, thuhet në statistikat e Njësisë për Kontrollin e Autostradave, që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës.
Por, viti më fatkeq në këtë autostradë po del të ketë qenë 2017-ta. Gjatë këtij viti kjo rrugë u përgjak 14 herë. Aq është numri i aksidenteve që kanë përfunduar me fatalitet atë vit, prej 477 aksidenteve sa kishin ndodhur gjithsej.
Krejt kjo në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express.
Por, në bazë të këtyre statistikave edhe në vitet e tjera numri i aksidenteve po del të ketë qenë goxha i lartë.
“Në vitin 2013 janë regjistruar 99 aksidente, në 2014-n 230, në 2015-n janë regjistruar 360 aksidente, në 2016 numri i aksidenteve ka qenë 402”, thuhet në statistikat e Policisë.
E shkaktarët e këtyre aksidenteve, sipas Policisë, po del të kenë qenë shpejtësia e lartë, mosmbajtja e distancës, ndërrimi i shiritit të trafikut, ndërrimi i shiritit të trafikut në mënyrë të pasigurt dhe manipulimi i pasigurt me automjete.
Përveç në autostradën “Ibrahim Rugova”, edhe numri i aksidenteve që po ndodhin nëpër rrugët e tjera të vendit është shumë i lartë.
Gjithsej 7 mijë e 626 aksidente kanë ndodhur që prej 1 janarit e deri më 15 korrik të 2018-ës, në të cilat humbën jetën 59 persona.
Numrin e aksidenteve këtë vit, po e konsideron si shqetësues edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.
Shala ka thënë për Gazetën Express se ndonëse ka ulje të numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar, gjatë stinës së verës me ardhjen e mërgimtarëve dhe shtimin e veturave po rritet rreziku nëpër rrugët e vendit.
“Aksidentet në krahasim nga viti paraprak janë në ulje, por prapë ekziston një tendencë që përgjatë sezonit të verës ku automjetet në rrugët e Kosovës shtohen edhe nga mërgimtarët, kjo paraqet një ngritje të rrezikut në sigurinë e komunikacionit”, ka thënë Shala.
Ndërsa, arsyeja më e shpeshtë për të cilën Shala po thotë se ndodhin aksidentet është faktori njeri, por jo vetëm ai.
“Arsyet më të shpeshta mbi 90% është faktori njeri dhe 6% infrastruktura rrugore dhe 4% kontrollimet teknike të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e RKS”.
Ai deklaron se institucionet relevante të zbatimit të ligjit duhet që në rend të parë të implementojnë në mënyrë efikase dhe strikte moton: “Zero tolerancë ndaj shkelësit të ligjit në komunikacion” dhe nuk ka nevojë fare të krijohen task-forca “speciale” mbi këtë dukuri që po mbizotëron në rrugët e Kosovës.
Ndërsa në drejtim të parandalimit praktik, Shala thotë se duhet që në akset rrugore më të frekuentuara të vendosen radarët-fotografikë statikë si në vendet e Evropës dhe në anën tjetër Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë të arrijnë memorandum bashkëpunimi mbi inkasimin e shqiptimit të dënimeve me vendet përkatëse nga vjen kundërvajtësi.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Muhamed Krasniqi thotë se të gjitha institucionet që merren me sigurinë rrugore në vend, duhet të bashkohen dhe të koordinohen në të gjitha aktivitetet që kanë për qëllim përmirësimin e sigurisë së lëvizjes së qytetarëve.
Krasniqi thotë se aksidentet po lënë edhe trauma në shoqëri.
“Të gjitha aksidentet në rrugë përbëjnë një shqetësim në vete por aksidentet që lënë pas vete qytetarë të vdekur janë me të vërtetë të tmerrshme, sepse përveç humbjes së njerëzve (më të dashurve), ato lënë edhe trauma të përjetshme në familjen, rrethin dhe shoqërinë e viktimës”, ka thënë Krasniqi për Express.
Ndryshe, për të evituar aksidentet në trafik, Policia e Kosovës ditë më parë ka marrë masa shtesë me krijimin e task-forcës, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore, për realizimin e planifikimeve policore duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik.
“Vlen të potencohet se aplikimi i masës zero tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik, me ç’rast gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve kyçë të aksidenteve me pasoja fatale”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Gjersa nga ky institucion kishin apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik. /Gazeta Express/
Çitaku: PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...
“Nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, Mickoski e quan akt ag...