Google ADS

Marrja e shtetësisë së Kosovës për qytetarët e Luginës – priten lehtësime

15:33 | 1 Gusht 2018
Arbresh.info

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur sot në takim pune ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i cili shoqërohej nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë, Naim Rexha dhe përfaqësues të ICITAP, me të cilët kanë diskutuar veçanërisht me aspektin e lehtësimit të marrjes së shtetësive për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes.

“Zgjidhja e këtij problemi për qytetarët e Kosovës Lindore është njëra nga kërkesat tona të vazhdueshme dhe lajmi i mirë është se ministri Gashi në rrugë ligjore ka filluar të angazhohet. Diskutuam edhe për çështjen e zjarrfikësve që ne ofrojmë si Komunë, sikurse që e njoftova ministrin për Mekanizmit Referues dhe KKSB, si dy mekanizma ndërsektorial jashtëzakonisht të suksesshëm që i kemi”, ka thënë kryetari Haziri, gjatë adresimit para gazetarëve.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka falënderuar Hazirin për mikpritjen dhe bashkëbisedimin lidhur me raportin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

“E informova kryetarin për gatishmërinë e mbështetjes në çështjet që lidhen me MPB, qoftë rregullimin e statusit të atyre që qëndrojnë pa dokumente në Kosovë, dhe në të njejtën kohë për problemet që lidhen ne fushën e sigurisë në komunikacion dhe sigurisë në bashkësi. Gjilani është komunë model që për disa fusha ka dhënë sukses të jashtëzakonshëm, siç bie fjala për Mekanizmin Referues në aspektin e deradikalizmit. Të gjitha sfidat dhe problemet që i ka Komuna në aspektin e sigurisë, ne do të mundohemi t’i japim zgjidhje”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme