Google ADS

Pse është problem anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër

07:14 | 1 Gusht 2018
Arbresh.info

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, në një intervistë për “Telegrafin”, ka folur për tregun e sigurimeve në Kosovës si dhe me problemet që përballen kompanitë e sigurimeve.

Ai ka thënë se problem për ketë industri paraqet numri i madh i veturave të pa regjistruara të cilat qarkullojnë në komunikacion, përcjell albinfo.ch.

“Është shqetësuese numri i automjeteve të paregjistruara, pasi shkaktojnë humbje të mëdha, qoftë për buxhetin e shtetit, por edhe për kompanitë e sigurimeve. Nëse flasim me shifra, janë diku pesë milionë euro në vit për industrinë e sigurimeve dhe pesë milionë euro për buxhetin e vendit, për mos inkasimin e taksave si dhe mosregjistrimin e automjeteve. Referuar të dhënave të fundit, numri i automjeteve të paregjistruara në Kosovë është 109 mijë, por mund të jetë edhe më i madh se kaq”, ka thënë Mazreku.

Sipas tij, shqetësuese mbetet numri i madh i veturave të pa regjistruara që shkaktojnë aksidente.

Ai ka treguar se vjetërsia e veturave të cilat qarkullojnë në rrugët e Kosovës, është mbi 13 vite dhe krahasuar me rajonin, kemi vjetërsi më të madhe.

Sipas Drejtorit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, duhet një vetëdijesim më i madh i qytetarëve për sigurimin shëndetësorë.

Mazreku ka thënë se sigurimet Shëndetësore Publike janë risi në tregun e Kosovës, i cili do t’i mbulojë disa kategori të sigurimeve, por nuk do të thotë se mbulon edhe sigurimin e jetës.

Ai ka treguar se për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, përveç problemeve politike duhet të ulet edhe numri i automjeteve të paregjistruara.

“Përveç problemit politikë që kemi lidhur me Kartonin e Gjelbër, ekziston edhe problemi i brendshëm që është numri i automjeteve të paregjistruara. Përce kushtit të anëtarësimit në OKB, ekziston edhe kushti që nuk mund të jetë më i madh se 5 për qind numri i automjeteve të paregjistruara. Derisa numri i këtyre automjeteve në Kosovë, është mbi 30 për qind, atëherë e merrni një përgjigje se ne kemi një problem të brendshëm dhe për këtë arsye është propozuar të arrihet një plan i veprimit konkret se si të ulët numri i automjeteve të paregjistruara, si kusht tjetër për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër”, ka thënë drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme