Erërat e forta dëmtojnë pullazet e tri shtëpive në Gjilan

21:35 | 31 Korrik 2018
Arbresh Info

Pas reshjeve të mëdha të shiut dhe erërave të forta, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka aktivizuar shtabin e emergjencave, të cilët kanë intervenuar në disa pjesë të qytetit dhe në fshatra, duke i dalë në ndihmë banorëve.

Siç njofton Komuna e Gjilanit, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, ka njoftuar se ekipi i këtij resori dhe Shërbimit të Zjarrfikësve, kanë dalë menjëherë në terren, duke iu dalë në ndihmë banorëve të cilët janë prekur nga vërshimet në Gadish, Lagjen e Vishnjeve, dhe në pjesën hyrëse të fshatit Malishevë, sikurse edhe që kanë intervenuar pas dëmtimit të pullazeve të tri shtëpive.

Spahiu ka njoftuar se fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka, pos atyre materiale, vlera e të cilave akoma nuk dihet dhe në ditët në vijim pritet të dilet me konstatimin final.

I pari i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim ka apeluar qytetarët që për çdo problem eventual të kontaktojnë numrat e emergjencave, 112 dhe 193, sikurse që ka kërkuar nga ta që në rastet kur paraqiten erëra të forta të kenë kujdes gjatë lëvizjes./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme