Alimi: Shkëndija do t’i tregojë vlerat e veta duke dhënë maksimumin në fushë

16:20 | 31 Korrik 2018
Arbresh Info

Kapiteni i Shkëndijës, Armend Alimi, e ka të qartë se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të japin maksimumin në ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve për të vazhduar tutje.

Kampioni i Maqedonisë e fitoi me rezultat 1-0 takimin e parë kundër Sheriff Tiraspolit në Filip Arena II në Shkup dhe ka një epërsi të lehtë para sfidës në Moldavi.

“Kemi ardhur këtu për të treguar vlerat tona dhe e vetmja që mendojmë është të japim maksimumin. Është mirë që hyjmë me epërsi, por asesi nuk pretendojmë se kjo është e mjaftueshme”, ka thënë Alimi.

Ai e ka përmendur sfidën e raundit të parë kur skuadra tetovare kishte fituar 5-0, por në ndeshjen e kthimit humbi 4-0 dhe ishte në rrezik.

“Secili prej futbollistëve në kokë ka të fiksuar se kjo betejë fitohet vetëm me qasje serioze, me dhënien e maksimumit në terren, koncentrim 100 për qind gjatë gjithë lojës, minimizim të gabimeve dhe shfrytëzim të rasteve para portës kundërshtare”, është shprehur kapiteni.

Shkëndija do ta ketë për qëllim që të mos e humbë ndeshjen, duke qenë se çfarëdo barazimi e kualifikon tutje.

Njëherësh, do të përpiqet të shënojë gola, sepse nëse realizon dhe humb me një gol diferencë, atëherë Shkëndija do të jetë në raundin tjetër.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme