Google ADS

Negociatat, Bushati tregon se çfarë do ndodhë në shtator

11:39 | 31 Korrik 2018
Arbresh.info

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka deklaruar se në Europë ka steriotipe negative që e lidhin Shqipërinë me islamin, por sipas tij kjo nuk është e vërtetë.
Në një intervistë me Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të Këshillit Atlantik, Damon Wilson, Bushti tha se jeta publike në Shqipëri zhvillohet në një mënyrë evropiane

“Ne jemi një shoqëri laike. Jemi evropiane, dhe në këtë drejtim ka një vendosmëri të fortë si në spektrin politik dhe atë shoqëror për t’u bashkuar me BE-në. Ky është objektivi i dytë më i lartë kombëtar pas bashkimit dhe mbështetjes së NATO-s. Procesi i reformave po shkon shumë mirë. Sigurisht, ka edhe disa stereotipe negative në Evropë që përpiqen të na lidhin me islamin por që janë të pabaza pasi mënyra se si zhvillohet jeta publike në Shqipëri është në një mënyrë evropiane”, tha ai.

Sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, Bushati tha se në shtator ekspertët nga Komisioni Evropian dhe qeveria shqiptare do të ulen dhe do të arrijnë të kuptojnë më mirë mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kapitujve.

“Procesi i shqyrtimit të paketës ligjore dhe institucionale është nisur zyrtarisht disa ditë më parë. Në shtator, ekspertët nga Komisioni Evropian dhe qeveria shqiptare do të ulen dhe do të arrijnë të kuptojnë më mirë mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kapitujve përkatës të acquiscommunautaire [paketa e ligjeve të BE-së.

Në të njëjtën kohë,ky proces do të na japë mundësinë për të pasur një vlerësim të matur në lidhje me nivelin e përputhshmërisë së legjislacionit dhe institucioneve tona me ato të BE-së. Kjo është ajo që do të ndodhë në një nivel teknik. BE ka vendosur një afat kohor, në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, kështu që në qershorin e ardhshëm shpresojmë se do të fillojmë negociatat zyrtare të anëtarësimit. Ne besojmë se ky proces i shqyrtimit do të na ndihmojë.

Së pari, do të kursejë kohë dhe së dyti do të na ndihmojë të jemi më të përgatitur për procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk ka asgjë që mund të negociojmë drejtpërsëdrejti me BE-në, është më shumë një proces përshtatshmërie. Ne do ta përdorim këtë periudhë kohore në një mënyrë shumë efikase, me ndihmën e Komisionit Evropian”, theksoi Bushati.

Sa i përket çështjeve të rajonit, Ministri Ditmir Bushati tha se angazhimi i SHBA-ve në Ballkan është jetik për të siguruar që mos të ketë asnjë pengesë në përpjekjet e Greqisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre, të cilat në vijim do t’i hapin rrugën kësaj të fundit për t’iu bashkuar NATO-s.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme