“Nëse nuk paguani, unë ju përdhunoj vajzën 12 vjeçare”, çfarë shkruajnë mediat belge për mafiozin shqiptar

22:06 | 30 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Gazetari Pieter Huyberechts, i medias belge “Gazet van Antwerpen”, shkruan një artikull të detajuar për rastin e Safet Rustemit. Prej më shumë se dy javësh mediat belge po shkruajnë lidhur me rastin e shqiptarit që rezulton të jetë ndër personat më të kërkuar nga drejtësia belge.

Në Shqipëri thuhet se ata kanë lidhje me rreth 40 vrasje. Ndërsa janë dënuar në Belgjikë për tentativë vrasjeje, zhvatje dhe trafikim kokaine.

Dy prej vëllezërve Rustemi ndodhen në burgjet belge.

Por “më i kërkuari”, Safet Rustemi 33-vjeç, u largua nga Belgjika, pasi pagoi një shumë të konsiderueshme parash.

Autoritetet belge shprehen të zhgënjyera nga gjykata e Brukselit. “Krimineli shqiptar mendon se është e paprekshëm”, thotë një burim zyrtar.

“Nëse nuk paguani, unë do t’ju përdhunoj vajzën tuaj 12 vjeçare”. Ky është një nga kërcënimet më brutale të bëra nga 33-vjeçari, Safet Rustemi ndaj një pronari kafeneje në Bruksel, i cili fillimisht nuk pranoi që të përulej para mafiozit shqiptar.

Por, në fund nën kërcënimin e Rustemit, u detyrua t’i jepte para, ashtu si shumë të tjerë të cilët janë kërcënuar nga klani i shqiptarëve në Alhambrwijk të Belgjikës.

E njëjta histori është përsëritur në dhjetëra kafene në Schaerbeek, Koekelberg, Molenbeek, Anderlecht dhe Ganshoren, ku mafia shqiptare ka grabitur pronarët e këtyre bizneseve.

Në vjeshtën e vitit 2014, klani “Rustemi” mori pushtetin në  Bruksel. Ata janë katër vëllezër: Ilir Janusz, Bardhyli, Seadi dhe i plotfuqishmi Safet Rustemi.

Në një lagje të njohur në veri të Shkodrës, së bashku me një kushëri të tyre ata cilësohen si  “Daltons  Dobrac”.

“Ata kanë dorë në jo më pak se 40 vrasje”, konfirmon një burim nga sistemi i drejtësisë.

Klani “Daltons”, shumë shpejt arriti të që të bëhej i pushtetshëm në Bruksel.

Dy shqiptarë u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë pas një mosmarrëveshjeje. Gjatë përplasjes pati edhe të shtëna. Dhe në atë kohë, klani “Daltons” tronditi Brukselin, duke krijuar kaos dhe grabitje. Ndërsa pronarët e kafeneve janë terrorizuar vazhdimisht nga kërcënimet e tyre.

Këpucë të bëra prej lëkure krokodili

Përfaqësuesi i ligjit belg, Stéphane Lempereur e kujton mirë Rustemin. “Doja ta nxirrja nga dhoma e tij, pasi më vinte për të qeshur me këpucët e tij të bëra me lëkurë krokodili. Këpucë të shëmtuara që kushtonin mijëra euro. Por atij as që i plasi fare”.

Më 25 janar të vitit 2017,  kapos së mafies shqiptare iu komunikua se do të bënte 9 vite burg.

Lempereur kërkoi arrestimin e tij të menjëhershëm. Por, gjykata nuk e mori parasysh.

“Rustemi nuk u arrestua menjëherë, një padi tjetër penale u ngrit kundër tij”, thotë një burim gjyqësor.

“Ai akuzohej se importonte kokainë nga Holanda. Në qeli apo jashtë saj, klani punoi gjatë gjithë kohës”, – thote Stéphane Lempereur.

Para dhe “fluturim special”

Pavarësisht nga ngërçi i procedurave të papërfunduara ligjore, Safet Rustemi u lejua të largohej nga burgu i Saint-Gilles më 12 korrik 2017 nën kushte të caktuara, me një ‘fluturim special’ dhe u dëbua për në Shqipëri.

Magjistratët e Brukselit u zunë përsëri në befasi. Rustemi dëshironte, së pari, të paguante shumën prej 25,000 euro.

Ai kërkonte të paguante për të fituar lirinë. Kjo ishte një shifër qesharake për dikë që “noton” në paratë e krimit.

Ishte hera e dytë që drejtësia belge pranonte para në këmbim të lirisë së tij. Në fund të vitit 2015, kishte ndodhur e njëjta gjë.

Dy ditë pas 12 korrik 2017, Rustemi u nis me  avion drejt Shqipërisë nga Zyra e Imigracionit, edhe pse ndaj tij ishin ngritur dy padi, askush nuk e mori parasysh këtë fakt.

“Ndërsa Ministria e Drejtësisë vonoi proceduarat për Rustemin, Sekretari i Shtetit për Azilin dhe Migracionin, Theo Francken (N-VA) e kishte dorëzuar atë në Tiranë”, thotë një burim.

Por më 22 shkurt të këtij viti, Brukseli lëshoi dënimin e dyfishtë në mungesë, me 8 dhe 5 vite burg, duke e akuzuar si udhëheqës të një bande kokaine, por Rustemi po shijon lirinë në Velipojë.

 

I plotfuqishmi në Shkodër

Autoritetet gjyqësore belge kanë mbetur të befasuara, sërish nga një ngjarje e ndodhur më 21 të dhjetorit 2017, kur ai hapi zjarr disa herë ndaj një bashkatdhetari në një klub nate në qytetin e  Shkodrës.

Dhjetëra dëshmi dhe pamje filmike nuk u morën parasysh për ta dënuar atë. Kur policia donte ta arrestonte në atë klub, një telefonatë nga një qeveritar lokal bëri që oficerët të mos e ndalonin. Oficerët morën urdhër që të mos e hetonin rastin.

Safet Rustemi, ose i njohur me pseudonimin si Safet Bajri, nuk i fshihet autoriteteve. Ai jeton në një lagje të Shkodrës, dhe është pronar i një pjese të plazhit në Velipojë.

A do të përfundojë ai ndonjëherë në qeli? Pak preferojnë të përgjigjen për të. “Gjithçka varet nga vullneti i mirë i shqiptarëve. Ai është i paprekshëm”, thonë dy njerëz.

Rast jo i veçantë

Fakti që Safet Rustemi u deportua para përfundimit të gjykimit të tij nuk është një rast i veçantë. “Vetëm në zyrën time ka pasur dymbëdhjetë raste të tilla në muajt e fundit”, tha Sven Mary, avokati i gangsterit shqiptar.

Në qarqet gjyqësore është konfirmuar se kjo situatë me të vërtetë ndodh shpesh.

“Asnjëherë nuk kam dëgjuar për një rast të ngjashëm”, thotë avokati Antëerp Kris Luyckx.

“Është një situatë krejt absurde. Drejtësia i vë të dyshuarit pa një leje qëndrimi në paraburgim, vetëm për të shmangur largimin e tyre nga vendi. Pastaj këta njerëz përfundojnë në DVZ, e cila i dëbon ata nga vendi. Përveç kësaj, ata zakonisht marrin edhe ekspuls”.

Sipas Theo Francken (N-VA), është detyrë e Ministrisë së Drejtësisë të kalojë këtë informacion tek DVZ. “DVZ nuk mund të marrë parasysh informacione që nuk i ka”. / Përgatiti: Panorama

 

Burimi: Gazet van Antwerpen

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme