Google ADS

Tahiri: Vetëvendosje kundërshtoi çdo proces të shtetndërtimit, s’mund të jenë pjesë e dialogut

16:13 | 30 Korrik 2018
V. S.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për dialogun me Serbinë, ka thënë se disa parti nuk mund të jenë pjesë e këtij procesi për shkak të rolit të tyre kundërshtues në secilin proces të shtetndërtimit.

“Prej shpalljes së pavarësisë dhe para shpalljes së pavarësisë ju e keni kundërshtu çdo proces. Vetëvendosja dhe lideri i saj nuk duhet të jenë pjesë e dialogut sepse e kanë kundërshtu çdo proces të shtetndërtimit të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye ju duhet të qëndroni në pozicionet e tuaja”, ka thënë Tahiri.

Tutje, duke folur për takimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq, Tahiri ka thënë se presidenti i vendit në të gjitha këto takime ka marrë pjesë me ftesën e Uashingtonit ose Brukselit.

Sipas tij, është obligim kushtetues dhe ligjor i presidentit që ta përfaqësojë Kosovën, shkruan lajmi.net.

“Thaci në asnjë takim kur është taku me Vuçiqin nuk ka shku krye në veti, sepse ka shkuar me ftesën e Uashingtonit ose Brukselit, është obligim i tij kushtetues dhe ligjor për përfaqësimin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Ministri Tahiri ka kritikuar edhe deklarimet e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, për propozimet e ndarjes së Kosovës, për të cilat tha se LDK-ja duhet të harmonizojë qëndrimet e veta.

Ndërkaq duke i’u kundërpërgjigjur deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut, për gjyqtarët serbë, Tahiri tha se të njëjtit gjithmonë kanë funksionuar në kuadër të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës./Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme