Google ADS

Serbia së shpejti do të nisë hetim mbi pasojat e bombardimeve të NATO-s

14:22 | 30 Korrik 2018
Arbresh.info

Komisioni serb për shqyrtimin e efekteve të dyshuara në shëndetin publik të përdorimit të municioneve me uranium të varfëruar nga ana e NATO-s gjatë bombardimit të vitit 1999 në Jugosllavi, do të fillojë punën në fund të gushtit ose fillim të shtatorit, tha kryetari i tij.

Kryetari i komisionit parlamentar serb, Darko Laketiq, tha të hënën për gazetën e përditshme ‘Politika’ se hetimi për impaktin e dyshuar mbi shëndetin publik të bombardimeve të NATO-s do të fillojë në qytetin jugor të Vranjes, ku ai do të punojë për të shqyrtuar efektet e përdorimit të municioneve me uranium të varfëruar.

“Nëse uraniumi nuk është i dëmshëm, pse shpenzohen kaq shumë para për ta ruajtur atë? Pse nuk e hedhin në mjedis?”, pyeti Laketiq në mënyrë retorike.

I pyetur nëse komisioni do të përfshijë ekspertë që nuk pajtohen me idenë se uraniumi i varfëruar shkaktoi dëme në Serbi, Laketiq u përgjigj se dëmi i tij është “përtej dyshimit”. Ai shtoi se raporti i parë paraprak i komisionit mund të përfundojë deri në fund të vitit 2020.

Mediat serbe fajësojnë bombardimet e NATO-s për një rritje të dyshuar të pacientëve me tumor, duke shpërfillur faktin se uraniumi i varfëruar u përdor pothuajse ekskluzivisht në Kosovë.

Ekspertët kanë kundërshtuar pretendimet se uraniumi i varfëruar dëmtoi serbët dhe mohoi se ka një epidemi kanceri në Serbi.

“Çdo vit ne përdorim plehra fosfate me më shumë uranium sesa ai që u hodh në vitin 1999 nga NATO-ja”, tha epidemiologu Zoran Radovanoviq në një debat të transmetuar nga televizioni kombëtar serb ‘RTS’ në maj.

Komisioni serb, i krijuar në maj, u modelua pas një hetimi parlamentar italian që përcaktoi se uraniumi i varfëruar shkaktoi kancer te disa ushtarë italianë që kishin shërbyer në misione jashtë vendit.

Por mjeku, i cili u citua në raportin e komisionit parlamentar italian, tha më vonë se ai ishte cituar gabim dhe mohoi të kishte pretenduar se ekziston një korrelacion midis kancerit dhe uraniumit të varfëruar.

NATO filloi sulmet ajrore në Serbi më 24 mars 1999, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund sulmit të forcave të tij ndaj rebelëve shqiptarë të Kosovës që kërkonin pavarësinë.

Në kohën që Millosheviqi pranoi, 78 ditë më vonë, numri i civilëve të vdekur nga fushata bombarduese u përcaktua të ishte rreth 500 nga ‘Human Rights Watch’.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme