Daçiq: Nuk është diskutuar për ndarje të Kosovës

19:54 | 28 Korrik 2018
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka folur sot për mundësinë që në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të jetë edhe propozimi për shkëmbimin e territoreve.

“Dyert për arritjen e një kompromisi janë hapur, një kompromis për të cilin SHBA-të nuk ishin të gatshme viteve të fundit, ngase ata gjithnjë mendonin që kjo çështje është e mbyllur. Tani ata janë të gatshëm ta përkrahin dialogun për gjetjen e një zgjidhjeje. Kjo përkrahje, dhe gjithashtu edhe mbështetja e dhënë nga BE-ja, i jep një ndikim pozitiv këtij procesi”, ka thënë sot Daçiq.

Tutje, duke folur për raportimet e fundit se në Uashington është folur edhe për ndarje të Kosovës dhe shkëmbim territoresh, Daçiq tha se një gjë e tillë nuk është diskutuar , mirëpo tha se askush sipas tij nuk ka vija të kuqe në këtë proces, transmeton lajmi.net.

“Askush nuk mendon që nuk ka asgjë për të dialoguar, ngase secili i përkrah bisedimet. Ka në Beograd të cilët mendojnë se Kosova është Serbi, për shkak se ashtu është e shkruar në Kushtetutë, ndërkaq gjithashtu ka në Prishtinë të cilët e konsiderojnë Kosovën pjesë të tyre. Në realitet gjërat nuk janë kështu”, tha Daçiq.

Daçiq po ashtu potencoi se nuk do të ketë ndryshime në formatin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai foli edhe për përfshirjen e fuqive të mëdha në këto bisedime, ku tha se nuk është e nevojshme përfshirja e Rusisë dhe Kinës, mirëpo të nevojshme nuk e cilësoi as përfshirjen e SHBA-ve në dialog.

Ndryshe, kohëve të fundit në opinion dhe në media kanë qarkulluar shumë spekulime se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një propozim shumë i mundshëm i cili mund të diskutohet në Bruksel.

Ministria e Jashtme ruse ndërkohë gjatë ditës së djeshme demantoi të gjitha këto spekulime, për të cilat tha se nuk qëndrojnë dhe një gjë e tillë sipas tyre nuk është diskutuar mes dy presidentëve, atij të Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidentit amerikan Donald Trump, në takimin e Helsinkit./Lajmi.net/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme