Google ADS

Ku qëndron madhështia e Demaçit në krahasim me të tjerët, sipas Novosellës

00:23 | 28 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Ai ka folur edhe për kohën e kaluar në burg. Nga rreth 9 vjet sa ka kaluar në burg Novosella, 3 e gjysmë i ka kaluar bashkë me Demaçin.

Novosella ka thënë se për të burgu jugosllav ishte një lloj shkolle.

“Tash nuk kemi nevojë të themi të pavërteta për burgjet e Jugosllavisë. Hetimet dhe torturat ishin të tmerrshme. Fakti që vriteshin njerëz gjatë hetimeve, e torturoheshin. Por në burg jeta nuk ka qenë edhe aq e vështirë.

Ushqim kishte të mjaftueshëm, kishim jo më shumë se tetë orë punë, kishim kujdes shëndetësor, kishim bibliotekë”, ka thënë Novosella. “Mos të kuptohet se kemi bërë jetë të mirë në burgje. Natyrisht ishte motivi, shpresa, ishte rinia jonë”, ka thënë më tej.

Ai ka thënë se për gjendjen në Kosovë informoheshin prej vizitave familjare.

“Kishim takime të rregullta dhe letra që merrnim”.

Burgjet e Serbisë, të viteve ’90-a kanë qenë më të ashpra, sipas Novosellës, veçmas burgu i Nishit, që thotë se sikur ishte krijuar për të qenë kundër shqiptarëve.

“Edhe Baci, në 44 librat për të, shumë rrallë flet për burgun. Baci nuk e ka përjetuar burgun si një vend trishtimi, një vend ku ju ka ndal jeta. Adem Demaçi ka pas një jetë bukur aktive në burg”, ka thënë miku i tij Selatin Novosella.

Është kthyer prapa në dënimin e tij të parë, kur Demaçi ishte vetëm 22 vjeç.

“Kishin dhënë dëshmitë për Bacin, fatkeqësisht edhe nja 15 shqiptarë. Prej atyre që janë gjallë, Ali Aliu, ndërsa kanë qenë edhe Zekerija Cana, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Adem Gajtani, e shumë të tjerë. Nuk kanë qenë, spiunë, as nuk ishin bashkëpunëtorë të UDB-së. Ata thjeshtë nuk kanë mundur t’i përballojnë sfidës së presionit të pushtetit, kërcënimeve, presioneve e shantazheve. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e Demaçit”, ka thënë Novosella në Interaktiv të KTV-së.

“Ky në ballafaqimin në gjykim, u thoshte flisni, krejt çfarë po thoni qëndrojnë, bile bile edhe më shumë se kaq kam thënë”, kujton Novosella.

Ai kujton se çfarë kishte thënë Demaçi: të ndërpritet aksioni për grumbullimin e armëve, të ndërpritet aksioni për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, të mos thuhet “shiptarski jezik” dhe “albanski jezik”, por shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, nuk ka dy letërsi e Kosovës dhe e Shqipërisë por ka një letërsi, e kishte thënë se nuk është krim të lexohet Fishta./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme