Koreja Veriore kthen eshtrat e 55 ushtarëve amerikanë

20:13 | 27 Korrik 2018
A. B.

Koreja e Veriut dorëzoi 55 arkivole me eshtra që mendohet se janë të ushtarëve amerikanë të vrarë në Luftën e Koresë. Ky është hapi i parë i Phenianit drejt zbatimit të marrëveshjes së arritur në samitin e rëndësishëm të qershorit në Singapor.

Të 55 arkivolet e mbështjella me flamurin e OKB-së, barteshin nga ushtarët në një ceremoni solemne.

Brenda tyre besohet të jenë eshtrat e ushtarëve amerikanë, të vrarë në Luftën e Koresë dhe që u mbajtën për dekada në Korenë e Veriut.

Të premten, eshtrat u transportuan me avion në një bazë amerikane në Korenë e Jugut, hapi i parë i Phenianit në mbajtjen e premtimeve të bëra në Singapor.

Presidenti amerikan Donald Trump përmes një komenti në Twitter të enjten mbrëma, falendoroi udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un.

“Pas shumë vitesh, ky do të jetë një moment i mrekullueshëm për kaq shumë familje”, shkruante ai.

Premtimi për kthimin e eshtrave të ushtarëve të vrarë amerikanë u cilësua si një gjest i vullnetit të mirë nga Kim Jong Un në qershor, dhe megjithëse realizimi i tij zgjati më shumë se sa do të dëshironte Uashingtoni, ky gjest rikthen shpresat për përparim në bisedimet bërthamore.

Dorëzimi i eshtrave gjithashtu përkoi me përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Armëpushimit për Luftën e Koresë.

Ndërkaq, të premten, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un vizitoi një varrezë të veteranëve të tij.

Armëpushimi, i nënshkruar më 1953, u dha fund luftimeve, por dy Koretë janë teknikisht në luftë, sepse ato ende nuk kanë nënshkruar një traktat paqeje.

Pheniani po bën thirrje për një përfundim zyrtar të luftës si një hap i parë i procesit të paqes.

Ata thonë se kjo do të ishte një mënyrë e rëndësishme që Uashingtoni të mund të garantonte sigurinë e Veriut në këmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore.

Dhe duket se po bëhet përparim edhe në këtë drejtim.

Sipas imazheve satelitore të kohëve të fundit, Koreja e Veriut tashmë ka filluar të çmontojë një bazë të madhe të lëshimit të raketave.

Në lidhje me kthimin e eshtrave të ushtarëve amerikanë, një ceremoni zyrtare për nder të riatdhesimit të tyre do të mbahet në bazën amerikane në Korenë e Jugut të mërkurën me 1 gusht.

Ata pastaj do të tranportohen me avion në Havai për identifikim të mëtejshëm.

Më shumë se 7700 ushtarë amerikanë që morën pjesë në Luftën e Koresë ende figurojnë të zhdukur, 5300 prej tyre janë zhdukur në Korenë e Veriut./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme