Aktori Albert Verria ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare (Video)

23:56 | 17 Gusht 2015
Arbresh.info

“Artisti i Popullit”, Albert Verria u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Të gjithë e njohin si “aktori vlonjat”, por ai ka lindur në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Verria. Në Fier mbaroi shkollën fillore dhe të mesme dhe rrugës së artit i hyri që në vogëli.

Në 1959, kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë, “Aleksandër Moisiu”, Albert Verria fitoi studimet dhe u diplomua me grupin e parë të saj. U emërua aktor në Teatrin e Vlorës. Që nga viti 1979, Albert Verria mban titullin “Artist i Popullit”.

Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjisor në disa shfaqje të ndryshme. Ishte vetëm 36 vjeç në vitin 1972 kur interpretoi rolin e kapedanit Sulo te filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë.

Kaporal Pelegrini te “Në fillim të verës”, Kopi tek filmi “Rrethimi i vogël”, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”, janë disa prej roleve që e bënë atë një aktor mjaft të dashur për publikun.

Para pak muajsh, Albert Verrisë i erdhi propozimi i fundit për të luajtur në një film ndërkombëtar, me një rol në filmin “Contromano. Personazhi që do të luante ishte një 80 vjeçar, një rol me shumë karakter, i vështirë dhe me domethënie të madhe, pasi filmi bazohet në temën e hapjes së dosjeve. Por ai nuk mundi ta realizonte rolin e tij të fundit, që e kishte shumë qejf për shkak të sëmundjes së rëndë, që e mbajti gjatë në spitalet e Tiranës./TCh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme