Google ADS

‘Kriteret e vlerësimit në UP nuk janë as përafërsisht ato që kanë qenë dikur’

07:45 | 26 Korrik 2018
Arbresh.info

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci ka vlerësuar se kriteret e vlerësimit në Universitetin e Prishtinës nuk janë as përafërsisht ato që kanë qenë dikur, pasi në një anketë të zhvilluar, nota mesatare e të anketuarve ka dalë 8.08.

“Kjo tregon se kriteret e vlerësimit nuk janë, as përafërsisht, ato që kanë qenë dikur. Prandaj, kur flitet për notën mesatare të dikujt duhet të merret parasysh edhe periudha kur ka studiuar, sidomos me rastin e pranimit në programe të nivelit master dhe të doktoratës”, ka shkruar Pupovci.

Postimi i Pupovcit në Facebook:

Një anketë e zhvilluar me 1,500 studentë të UP-së të përzgjedhur rastësisht flet për një notë mesatare jashtëzakonisht të lartë të të anketuarve – 8.08. Notën mesatare më të lartë e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Arteve (8.89), të pasuar nga studentët e Fakultetit Juridik (8.24) dhe atij Ekonomik (8.23). Ndërkaq, notën mesatare më të ulët e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës – 7.67. Studimi i plotë do të publikohet gjatë muajit shtator dhe do të sjellë edhe shumë informata të tjera interesante.

Në vitet e 80-ta duhej goxha përpjekje për ta gjetur dikend që e kishte notën mesatare mbi 8, ndërsa sot 1,500 të parët që i ndalë në rrugë e kanë tejkaluar këtë notë, pra, teorikisht, kualifikohen për asistentë. Kjo tregon se kriteret e vlerësimit nuk janë, as përafërsisht, ato që kanë qenë dikur. Prandaj, kur flitet për notën mesatare të dikujt duhet të merret parasysh edhe periudha kur ka studiuar, sidomos me rastin e pranimit në programe të nivelit master dhe të doktoratës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme