Google ADS

Gashi: Sylejman Selimi po mbahet padrejtësisht në paraburgim

15:20 | 25 Korrik 2018
Arbresh.info
Avokati Tomë Gashi gjatë ditës së sotme përmes rrjeteve sociale ka postuar një kërkesë të cilën ia ka drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Përmes kësaj kërkese avokati Tomë Gashi, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të mbrojturit të tij, ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimit si dhe Jahir Demakut.

Në maj të vitit 2015, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte gjetur fajtorë dhe kishte dënuar me 8 vjet burg Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Së bashku me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg u dënua ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku.

Dënimin prej 3 vjetësh gjykata ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Gjykata e Apelit kishte sjellë aktgjykim në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, me ç ‘rast të gjithë komandantët dhe ushtarët e UÇK-së pjesë të këtyre dy gjykimeve i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me burg.

Më pas Gjykata Supreme e Kosovës në qershor të këtij viti kishte vendosur që të i anulonte aktgjykimet e gjykatave të mëparshme dhe rastin ta kthente në rigjykim.

Në kërkesë thuhet se pas vendimit të Supremes që lënda të kthehet në rigjykim, avokati Gashi i ishte drejtuar Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë Nikola Kabasic me kërkesën për lirim të menjëhershëm të të mbrojturit të tij Sylejman Selimit si dhe Jahir Demakut.

“Duke pasur parasysh gjendjen e lartshënuar, ne me 20/06/2018 kemi kërkuar me shkrim nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë Z.Nikola Kabasic që në kuadër të kompetencave të tij ligjore të nxjerrë aktvendim për lirimin e menjëhershëm nga vuajtja e dënimit të kundërligjshëm për Z.Sylejman Selimi dhe Z.Jahir Demaku”, thuhet në këtë shkresë drejtuar KGJK-së.

Pas kësaj kërkese ai thotë se ishte kontaktuar nga kryetari i Gjykatës së Mitrovicës i cili e kishte njoftuar se lënda gjendej ende tek misioni i EULEX-it dhe kishte kërkuar nga zyrtaret e EULEX-it që sa më shpejt të i dërgonin shkresat e lëndës në kompetencë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës e cila do të vendoste në lidhje me kërkesën për lirim nga paraburgimi/vuajtja e dënimit.

Më pas sipas avokatit Gashi, misioni i EULEX-it i ka dorëzuar Gjykatës Themelore të Mitrovicës vetëm aktgjykimin por jo edhe shkresat e tjera të lëndës, duke bërë kështu që Kolegiumi i kësaj Gjykate të marrë qëndrim se Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk mund të vendos në lidhje me këtë çështje pa u pajisur me të gjitha shkresat e lënës.

Në shkresë thuhet se Kryetari Kabasiç i është drejtuar më pas Gjykatës Supreme nga e cila ka kërkuar që të paraqes urgjencë tek misioni i EULEX-it që sa më shpejtë që të jetë e mundur shkresat të i dorëzohen Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

E deri më tani përkundër faktit se disa herë është kontaktuar Kryetari i Gjykatës Supreme, avokati Gashi thotë se nuk ka marrë ndonjë njoftim të mëtejshëm në lidhje me këtë çështje, dhe që sipas avokatit Gashi i mbrojturi i tij Sylejman Selimi si dhe Jahir Demaku janë duke u mbajtur në paraburgim në mënyrë të kundërligjshme.

“Të nderuar, Kryetar është e qartë se Z.Sylejman Selimi dhe Z.Jahir Demaku që nga data 12/06/2018 janë duke u mbajtur në paraburgim në mënyrë të kundërligjshme dhe kjo paraqet vepër penale të privimit të kundërligjshëm të lirisë”, thuhet në shkresën drejtuar KGJK-së.

Ai i bënë thirrje Kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizit që në kuadër të kompetencave të tija të ndërmarrë veprime të menjëhershme për lirimin  e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.

“Unë ju lus që në kuadër të kompetencave të juaja ligjore të ndërmerrni veprime të nevojshme për lirimin e menjëhershëm të Z.Selimi dhe Z.Demaku”, thuhet në këtë shkresë drejtuar Kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizit.

Në profilin e tij në “Facebook”, avokati Gashi ka thënë se ka 40 ditë që Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku po mbahen në mënyrë të jashtëligjshme në paraburgim/vuajtje të dënimit pa ndonjë vendim gjyqësore.

Po në këtë status avokati Gashi thotë se një gjë e tillë po ndodhë vetëm për shkak të neglizhencës së Zyrtareve të EULEX-it që lëndën ta dorëzojnë fizikisht në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, për të cilët tha se punojnë në të njëjtën ndërtesë, në kate të ndryshme.

Të ngjashme