Google ADS

NATO përgatitet për përgjigje të shpejtë ndaj kërcënimeve

22:14 | 20 Korrik 2018
Arbresh.info

Nën Iniciativën e Gatishmërisë së NATO-s, të gjitha 29 vendet anëtare të Aleancës janë duke u përgatitur për kërcënime të mundshme nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më 7 qershor të këtij viti, aleatët ranë dakord për Iniciativën e Gatishmërisë së NATO-s, në të cilën aleatët u zotuan se deri në vitin 2020 të kenë 30 batalione, 30 skuadra ajrore dhe 30 anije luftarake detare, që do të jenë gati për t’u përdorur brenda 30 ditëve.

Sipas Iniciativës së Gatishmërisë së NATO-s, kjo organizatë synon të rrisë gatishmërinë e forcave ekzistuese kombëtare dhe aftësinë e tyre për të lëvizur brenda Evropës dhe në të gjithë Atlantikun, në përgjigje të një mjedisi të sigurisë më të paparashikueshëm.

Organizata thekson se kjo nuk ka të bëjë me forcat e reja, por me rritjen e gatishmërisë së forcave që aleatët tashmë kanë, forcat që mund të vihen në dispozicion për operacionet e mbrojtjes kolektive dhe me reagimet ndaj krimeve.

“Ne kemi vendosur për hapa të mëtejshëm për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët dhe për të rritur mbrojtjen dhe parandalimin nga kërcënimet nga çdo drejtim”, tha Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes më 7 qershor.

Samiti i Brukselit që u mbajt më 11-12 korrik u fokusua në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes, kundër-terrorizmit dhe stabilitetin, forcimin e bashkëpunimit me BE-në, modernizimin e NATO-s, ndarjen e përgjegjësisë si dhe në vlerat e përbashkëta dhe bashkimin transatlantik.

“Veprimet agresive të Rusisë, përfshirë kërcënimin dhe përdorimin e forcës për arritjen e qëllimeve politike, sfidojnë Aleancën dhe dëmtojnë sigurinë euro-atlantike dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, u theksua në Deklaratën e Samitit të Brukselit.

Gjatë viteve të fundit, Aleanca ka trefishuar madhësinë e Forcës së Reagimeve të NATO-s në rreth 40 mijë trupa, me një forcë të re prej 5.000 trupash në bërthamën e saj.

NATO gjithashtu ka vendosur katër grupe luftarake shumëkombëshe në shtetet baltike dhe në Poloni, duke rritur praninë e saj në rajonin e Detit të Zi dhe duke ngritur një numër të shtabeve të vogla për të lidhur forcat kombëtare dhe të NATO-s.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme