Google ADS

“Ndryshim në nuancë” e quan Visar Ymeri deklaratën e ambasadorit Delawie për “ndarjen si zgjidhje”

18:59 | 20 Korrik 2018
V. S.

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate Visar Ymeri ka thënë se mund të vërehet një “ndryshim në nuancë” në raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi mundësisë së ndarjes së Kosovës si zgjidhje e fundme e mosmarrëveshjeve me Serbinë.

Në Info Magazine të Klan Kosovës ai ka nënvizuar se për t’u parandaluar zgjidhje të tilla të papranueshme duhet që Kuvendi i Kosovës t’i vendosë vijat e kuqe për këtë dialog dhe që institucionet të pozicionohen, për t’i bindur pastaj miqtë se ai është pozicioni i duhur.

“Duket se ka njëlloj ndryshim në nuancë(në raportin e SHBA-së me ndarjen e Kosovës). Por është shumë e rëndësishme të dëgjohet pjesa tjetër e deklaratës të ambasadorit, ku ai thotë se ‘varet nga palët’”.

“Në kuvend duhet të vendosen vijat e kuqe. Nuk duhet të presim që ato t’i vendosë dikush tjetër për ne. Nuk ka askush tjetër mandat për këtë gjë”.

“Republika e Kosovës duhet ta ketë pozicionin e vet dhe pastaj të tentojë t’i bindë miqtë që ky është pozicioni i duhur”.

“Duhet të jemi të vendosur dhe të dakordohemi që ndarja nuk do të pranohet në asnjë mënyrë. Për sa kohë e kemi këtë qëndrim ajo nuk mund të ndodhë”.

“Kur flasim për ndarjen, marrim shembull Ujmanin: nuk ka liqe akumulues më të madh të ujit në rrafshin e Kosovës se ai i Ujmanit. Dhe nuk duhet ta humbim. Ne dëmtohemi edhe ekonomikisht, jo vetëm territorialisht me ndarje”.

“Pastaj, nëse ndodhë ndarja, ku do të ndodhte në terren. Mbi Ibër? Sepse pjesa veriore është pasojë e ndjekjes sistematike të shqiptarëve nga serbët”.

“Vazhdimisht është thënë nga kushdo që ka shkuar në negociata se do të ngritet edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por kjo gjë nuk ka ndodhur”.

“Në Republikën e Kosovës të drejtat e pakicave, vecanërisht të pakicës serbe, janë territorializuar”. /klankosova.tv/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme