Bashkë në Bruksel, por Thaçi e Limaj kanë një histori problematike

16:55 | 19 Korrik 2018
M. A.

“Nëse ta ka nevojën, të përkulet, por nëse nuk i duhesh, të shkatërron”, – kështu e kishte përshkruar para dy vjetëve Fatmir Limaj mikun e tij shumëvjeçar, Presidentin Thaçi. Para kësaj deklarate, e pas saj, raportet e dyshes kanë qenë të ndryshme, ndonjëherë të paqarta. Për Express kanë folur njerëz të afërm të tyre; Bekim Çollaku nga Presidenca dhe këshilltari i Limajt, Endrit Shala.

Largimi i Limajt pesë vjet më parë nga PDK ka kaluar me shumë hatërmbetje. Prej atëherë janë incizuar shumë momente kur Presidenti Thaçi e kryetari i Nismës injoronin njëri-tjetrin në publik, edhe kur po takoheshin në ndonjë takim zyrtar.

Së fundmi duket se raportet e tyre nuk janë më të acaruara. Limaj ka pranuar të shkojë në Bruksel me Thaçin dhe të tjerët, shumë kohë pasi ka refuzuar që Presidenti ta udhëhiqte dialogun me Serbinë.

Endrit Shala, këshilltar i zv.kryeministrit Fatmir Limaj, ka thënë për Gazetën Express se Thaçi dhe shefi i tij flasin vetëm zyrtarisht karshi pozitave shtetërore që ata mbajnë.

“Raportet e Limajt me Presidentin Thaçi janë zyrtare. Njëri është zëvndëskryeministër e kryetar partie, tjetri President”, ka thënë Shala.

Mirëpo, komandantët e UÇK’së nuk kanë pasur asnjëherë vetëm raporte zyrtare. Miq të ngushtë ose rivalë, por, të njëjtit, që kanë qëlluar edhe liderë shtetërorë, nuk kanë funksionuar asnjëherë vetëm si të tillë.

Këshilltari i Limajt, kur pyetët për ish-shoqërinë mes komandantëve e edhe për hidhërimin mes tyre, thotë se tash Limaj e Thaçi kanë raporte zyrtare dhe asgjë përtej saj.

Shala nuk pranon të komentojë deklaratat e Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili në një intervistë për Gazetën Express javë më parë, i hidhëruar me Fatmir Limajn që ia bojkotoi mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se Limaj e Presidenti Thaçi hanë darka së bashku, ndërsa në publik paraqiten kinse nuk flasin mes vete.

Ndryshe nga çfarë thotë Shala, shprehet Bekim Çollaku, shefi i stafit të Presidentit. Ai për Gazetën Express ka thënë se Presidenti Thaçi ka raporte miqësore në rrafshin privat me ish-bashkëpunëtorin e tij.

“Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi ka raporte korrekte dhe miqësore me z. Limaj, si në rrafshin e bashkëpunimit ndër-institucional, po ashtu edhe në atë privat”, thuhet në përgjigjen e Çollakut.

Ishin pikërisht raportet e këqija mes Limajt e Thaçit që kishin vështirësuar edhe formimin e koalicionin parazgjedhor në maj të 2017’ës. Limaj nuk po pranonte që të bëhej pjesë e një koalicioni me ish-partinë e tij, ku ideatori i saj ishte Thaçi.

Ndërsa, analisti Astrit Gashi thotë se të dy njohin më së miri njëri-tjetrin, prandaj raportet e tyre shënohen me një dozë urrejtjeje dhe me skajshmëri mosbesimi.

“Edhe sot që janë bashkërisht në pushtet ata punojnë me njeri-tjetrin por edhe i frikësohen njeri-tjetrit, pra punojnë edhe kundër njeri-tjetrit”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.

“Është e vërtetë se kanë edhe kontakt personal si dhe hanë edhe dreke e darka bashkë, por rivaliteti e mosbesimi i ndanë”, ka vazhduar ai.

Që nga koha kur Thaçi e Limaj i kishin ndarë rrugët, në vitin zyrtarisht në vitin 2013, ishin kthyer në armiq politikë. Tutje Limaj formoi partinë e tij, Nismës, duke zyrtarizuar opozitarizmin ndaj PDK’së së Thaçit.

Limaj për disa vjet radhazi ka akuzuar Presidentin Thaçi për mashtrim dhe për dalje nga kompetencat e tij.

Kur Thaçi u inaugurua President, Limaj pati thënë “Spektakli dje përmbush instinktet prej diktatori”.

Analisti Gashi përmend se Limaj kishte fajësuar Thaçin për akuzat që ia kishte ngritur Eulex.

“Limaj që disa herë ka thënë që akuzat e Eulex janë nxitur nga Thaçi, besoj qe motivin kryesor politik e ka po këtë, te largoj edhe atë nga politika njëherë”, ka thënë Gashi.

Gjatë kohës në opozitë, Limaj e përshkruante Thaçin si shfrytëzues e pa parime.

“Hashim Thaçi është pa parime politike. Në politikë ai ka vetëm interesa, si intereson as majtas as djathtas. Nuk ka principe programore. Nëse ta ka nevojën të përkulet, nëse nuk i duhesh të shkatërron”, pati thënë Limaj në një deklaratë publike në nëntor të 2016’ës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme