Thaçi: Askush nuk mund ta devijoj të ardhmen e Kosovës

13:00 | 19 Korrik 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë që dje ka qenë një ditë historike për Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Vendimi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, qoftë në ekonomi, në legjislacion në politikë, nuk është diçka që BE ia ka falur Kosovës”, ka thënë Thaçi. Më tej ai ka treguar se liberalizimi i vizave është një proces i pandalshëm, i cili do të kaloj edhe në Parlamentin Europian dhe shtetet anëtare.

“Neve na mbetet me i kontribu përshpejtimit të këtij procesi. Ky proces është në të mirën e të gjithëve pa dallim partie e pa dallim etnie, është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se nxjerrja e vendimit është një përgjegjësi shtesë për institucionet, aq sa është vlerësim pozitiv nga BE është edhe përgjegjësi që askush të mos lejohet të abuzoj. “Ne do të vazhdojmë me kampanjën që të informojmë se çka do të thotë liberalizimi i vizave. Jam i bindur se Kosova do t’i kaloj pa problem këta katër muaj deri në liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

Thaçi theksoi se tani gjithçka është e qartë që Kosova po lëvizë me hapa konkretë drejt integrimit europian.

“Po ndërtojmë një shtet europian, shtet të reformave. E dijmë që ky vendim ka qenë i vonuar, por e dijmë situatën politike si ka qenë, ku nganjëherë ia kemi krijuar vetë-vetes”, është shprehur Thaçi.

Presidenti Hashim Thaçi tha se askush nuk do të mund ta devijoj të ardhmen e Kosovës. Presidenti ka treguar që sot ka takuar të gjithë përfaqësuesit e drejtësisë në Kosovës në një takim të përbashkët për t’i përgëzuar për punën dhe për të kërkuar vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kjo është dëshmi më e mirë se institucionet e Kosovës janë efektive dhe transparente në vazhdimin e reformave”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme