Arb Elo
Ndërsa vitet ’80-’85 duhet të kenë qenë më të zymtat e diktaturës, pas vdekjes së tiranit ndihej një pritshmëri në ajër e vështirë për t’u përshkruar, pasi, në thelb, vetë homazhet për Qoftëlargun e betimet që u bënë aty e mbarë vendit nuk linin shumë vend për këtë.
Pakkush i kujton sot, për arsye që merren vesh mbase vetëm me psikanalizë, dhjetëra mijëra vjershat që u shkruan atëbotë nga treçereku i popullsisë si dhe shkrimet pa fund përkujtimore ato javë. Këto u pasuan nga vëllime të tëra për komandantin; ndokujt i kujtohet mbase ende njëfarë Sulo Gradeci, kujtimet e së cilit kishin edhe një dimension zbavitës, sidomos kur përshkruante se sa nikoqir e i përkorë paskësh qenë udhëheqësi. Atmosferën e atyre ditëve e përshkruan më së miri një propozim i Pali Miskës në mbledhjen e Byrosë Politike: Ky propozoi as më shumë e as më pak që Tiranës t’i vihej emri Enver Hoxha.
E, megjithatë, mund ta vije re një puhi të lehtë të përshfaqej në sipërfaqe të asaj që ndodhte, të ngjashme me valëzimin e lehtë që ndodh në ujë kur lëviz poshtë ndonjë peshk që ia marrim me mend hijen. Dhe nuk ishte aspak e çuditshme që këtë lëvizje ta përftoje më së pari në poezi, pasi kjo është (pos muzikës) arti më eterik e kësisoj më i vështiri për t’u zbërthyer. Mund të futësh brenda ndokënd për një poezi e për të njëjtën poezi ta ngresh në qiell e ta shpallësh emblemë të socializmit. Ndaj edhe shenjat e para të asaj revolte që do të çonte 5-6 vjet më vonë në ndryshimin e rendit i gjeje, po të dije të lexoje ato kumte të fshehta – le t’i quaj mini-disidente – më së pari në letra.
Mirëpo, kjo mënyrë të lexuari çonte vetiu drejt vlerësimit të atyre që kishin patur guxuar më shumë e jo medoemos atyre që shkruanin më bukur – vetë leximi përmbante kësisoj një përmasë disidente, e cila e largonte këtë nga estetika për ta afruar kah, po e quaj, subversiviteti. Kur bie fjala te letrat flitet më së shumti për zhvillimet e dallimet brenda atyre vetë. Rrallë përfshihet aty leximi, ndonëse ky është procesi komplementar i tyre, i cili është jo vetëm i ndërvarur prej të parave, por njëkohësisht dhe shkakësor në këtë marrëdhënie të dyanshme.
Një trandje e tillë kishte ndodhur edhe në fund të viteve ’30 e menjëherë pas luftës. U deshën 20-30 vjet që leximi i “njeriut të ri” të konsolidohej deri diku e ja, 30-20 vjet më vonë, po ndodhte i njëjti proces e ky duhej taruar tani me kërkesat e reja estetike të kohës.
Porse koha si e tillë nuk kishte se si të kishte kërkesa estetike, pasi përpjekja për ndryshim synonte pikërisht rrëzimin e atyre ekzistuese, të cilat s’kishin të bënin me kohët letrare, por me ato historike. E kështu, kur këto kërkesa ranë, shumë autorë, deri më atëherë të mirënjohur e që kishin flirtuar, ca më shumë e ca më pak, me atë mini-disidencën që përmenda më sipër dhe lexuesin e saj, mbetën në një udhëkryq që ngjante i shkretëtirë. Mund t’i shkrehje bataretë me fund, mund të zije ndonjë post politik, shumë u bënë ambasadorë e diplomatë, por ç’u bë me letërsinë e tyre?
A kish ndonjë vlerë ajo çfarë kishin shkruar, a kish ndonjë vlerë kjo që po shkruanin tani, ndërkohë që dhe audienca e dikurshme po vuante të njëjtën liri, parë që tani mund të lexoje gjithçka? Është një brez i tërë ky që përshkrova më sipër. B.Mustafaj, Z. Çela, P. Zogaj, R. Marku, I. Zhupa, K. Kosta, B. Hoxha, – harrova kënd? Le të vihet re këtu një e përbashkët e këtyre autorëve: këta vinin nga rrethet.
Se ç’kompromise jo vetëm letrare duheshin bërë atëbotë me regjimin për të zbritur në Tiranë e për të filluar punë te “Drita”, te “Nëntori” e me radhë, kjo nuk mund të ftillohet prej shkruesit të këtyre radhëve dhe nuk është as subjekt i këtij shkrimi që duhej të ishte dialektika e leximit në vitet e fundit të diktaturës deri më sot. Shumë autorë, si të lartpërmendurit e të tjerë që u shfaqën papritur pas rënies së diktaturës menjëherë, veprat e të cilëve lexuesi i merrte të parën herë në dorë, letërsi kjo si ç’quhet “e sirtarëve” dhe ajo e shkruar në burgjet e komunizmit apo që bënte fjalë për ta, e shkundën edhe një herë fort pemën e vlerësimit letrar e nga kjo ranë si fruta të kalbura autorë deri më atëherë të konsideruar seriozë, emra që nuk ka gjasë të ringjallen më: Dhimitër S. Shuteriqi, Ali Abdihoxha, Kolë Jakova, Ruzhdi Pulaha, Fatmir Gjata, Shevqet Musaraj, Llazar Siliqi, Luan Qafëzezi, – harrova kënd?
Në të njëjtën kohë u shfaqën emra të rinj që publikuan në vitet ’90 vëllimet e tyre të para, normalisht në poezi, si Agron Tufa, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku etj. e kjo i shtohej panoramës letrare së bashku me përkthimet e pafund të autorëve të huaj të ndaluar.
Gjithë kësaj i bashkërenditet edhe revolucioni teknologjik i shkrimit në kohë reale dhe pasojat e tij të drejtpërdrejta në letra.
Po të llogariten këtu edhe trandjet shoqërore, lëvizjet e mëdha të refugjatëve dhe liria që fituan mediet, ndoshta mund të kuptohej më mirë kryngulthi që ndodhi edhe me leximin si të tillë, pasi ato që ndryshuan të parat në këtë rrokopujë nuk ishin vetëm vlerat estetike, por edhe ato etike. Me këtë optikë duheshin lexuar tani e tutje edhe autorët më të konsoliduar si Kadareja e Agolli. Vepra të njohura të tyre si “Përse mendohen këto male”, “Nënë Shqipëri”, sa për të përmendur dy shembuj, gjer më atëherë të pranuara si kulme të ligjërimit poetik, u lanë në harresë, për t’u rilexuar vepra si “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, të cilat qëllimisht ishin mbuluar nga heshtja.
Më qartë duket ndryshimi i këndvështrimit të të lexuarit, a thua se audienca papritur kish vënë binokëlat e po e shikonte atë shfaqje ndryshe, vërehet tek i pashmangshmi Kadare; vepra e tij e deri më atëherë nisi të lexohej ndryshe e ky i lexuar vijon deri më sot, pavarësisht nga fakti se autori, megjithë luhatjet e zakonshme të një shkrimtari në krijimtari, nuk është se kishte ndryshuar shumë. Edhe veprat që pasuan nuk është se dallojnë shumë në cilësi nga veprat e mëparshme, mirëpo tani po lexoheshin sikur ca të ishin shkruar para erës sonë e ca pas saj, nga se kish ndryshuar kalendari letrar i lexuesit. Sa për të marrë një shembull: ende vijon të diskutohet pafund e nga e para “Dimri i vetmisë së madhe”, ndërkohë që, fjala sjell, “Koncert në fund të dimrit” është ku e ku më i mirë nga të dy dimrat dhe jo vetëm më pak i politizuar se dimri i parë, por e ngërthen edhe leximin e të parit siç do të duhej. Arsyeja pse flitet më shumë për dimrin se koncertin në fund të tij është e thjeshtë: te ky i pari gjendet si personazh Enver Hoxha, ndërsa te lexuesi paksa nga Pali Miska i lartpërmendur.
Hierarkitë e shkrimit janë më së pari hierarki leximi e ky i fundit ende nuk e ka marrë veten nga ajo trandje në kapërcyell të kohëve. Ende nuk ka një konsensus leximi më së pari nga profesionistët që te ne mungojnë, nga kritika letrare që te ne është mjerane, nga vetë lexuesi që te ne po bjerret masivisht, se cila qenkësh letërsia vërtet e mirë shqiptare dhe pse është kështu.
Ndërkohë që koha bën të vetën; përditë largohen nga kjo botë fizikisht autorë dikur të njohur e bashkë me ta ndoshta edhe vepra e tyre, pavarësisht asaj që shkruhet e thuhet për të. Po marr këtu D. Agollin për shembull, i cili u nda nga kjo jetë vitin që shkoi. Cila vepër e tij do të vazhdojë të lexohet vërtet, a lexohet ky tani përnjëmend, paçka se është ende i pranishëm në media për arsye mbase jashtë letrare? Nuk ma do mendja, por shpresoj të gabohem këtu për tituj si “Njeriu me top” etj.
Vështirë që leximi i autorëve shqiptarë t’i kthehet normalitetit, për sa kohë nuk ka struktura të besueshme që t’ia kthejnë besimin lexuesit te vlerësimi i tyre siç duhet. Pasi, e kjo vlen më së pari për autorët bashkëkohorë shqiptarë, askund nuk gjendet për momentin një instancë e besueshme vlerësimi dhe nuk ka gjasa që të gjendet dhe në një të ardhme të afërt. Por mbase shtrëngesa ekonomike do t’i detyrojë të përfshirët në marrëdhëniet me letërsinë të vetëdijesohen.
Këta të fundit janë të përçarë, luftojnë për hesap të vet për t’ia hedhur publikut e për t’ia bërë ndjellës libra e letërsi në të vërtetë të dobët e harrojnë ndërkaq që lexuesi i lexuar e di se ia kanë me hile, ndërsa ai pa përvojë mësohet keq e kërkon më shumë nga kjo çorbë e prishur; rezultati është gjithnjë meskin dhe i trishtë e ky është faktor kundërprodhues për ata që vetë po e shkaktojnë, shikon të trumbetohen vlera që nuk janë të tilla, t’u lihet kryet e vendit autorëve që në të vërtetë prodhojnë letërsi të dobët, për të mos përdorur epitete cinikë, por këtë nuk e thotë kush, ndonëse e dinë (e dimë) të tërë që është ashtu.
Çdo shkrues shqiptar që ka provuar të publikojë një libër e di se, me përjashtimet e rralla që vërtetojnë rregullin, se botuesit të kërkojnë para për këtë me pretekstin, e vërtetë, duhet thënë, se libri nuk shitet. Mirëpo, nga ana tjetër, libri nuk ka se si të shitet, nëse gjithkush mund të publikojë dukepaguar, pasinukka se si që paraja, si e tillë, të jetë masa me të cilën matet kultura, libri, përmbajtja e tij.
Cilësia e librit dhe vlera e tij monetare nuk shkojnë medoemos krah për krah, por, ndërsa vlera e librit si mall mund të llogaritet lehtë, është fort e vështirë të matet vlera e tij kulturore, të paktën pa hallkat e domosdoshme që përkujdesen pikërisht për ta filtruar atë: redaktorët, korrektorët, politikat botuese, kritika, media, reklamimi; hallka këto, sikurse dihet, në më të shumtën të paqena apo, kur gjenden, keqfunksionuese e që vuajnë simptomat që tregon pacienti, shoqëria shqiptare, në të gjitha fushat e jetës: korrupsioni, mashtrimi, vjedhja, tarafllëku, mungesa e masës, keqpagimi, mungesa e përgjegjshmërisë qytetare e me radhë.
Në këtë kuptim kriza e librit radhitet në vazhdën e krizës së vlerave; bjerrja e leximit është, në fund të fundit, një nga dukuritë e bjerrjes së vlerave morale e etike të shoqërisë.
Bjerrja e leximit është tregues i bjerrjes së arsimit, i trandjes së edukimit si të tillë, i trandjes së moralit të shoqërisë sonë dhe humbjes së orientimit të saj kah e bukura, e drejta, e vërteta dhe e mira; koncepte këto që përkthehen në realitet më së shumti me antipodet e tyre, ndonëse fjala, fasada e protagonistëve i keqpërdoron për reklamë e pasurim vetjak.
E megjithatë, falimentimi i kësaj fasade shenjon një fazë të re të këtij sistemi që ushqehet me bijtë e tij; aktorëve u kanë rënë maskat; askush nuk i beson më broçkullat e banorëve të ekraneve dhe të të përditshmeve; zhgënjimi ka ndodhur e çdo krizë përmban në vetvete një shans të ri, një përpjekje të re, në mos shpresën se tash e tutje vetëm më mirë mund të bëhet, pasi më keq nuk ka se ku të vejë.
Minotauri, që është, në fund të fundit, vetëdija e shoqërisë shqiptare i ka brirët e shkulura; ai, fundja, jemi ne vetë, unë e ti. Gjithsekush duhet ta kapë veten për hunde e të nisë e reflektojë për pafuqinë e tij, e cila nuk është vetëm e tillë. Të drejtat që i jepen me ligj gjithkujt, shumëkush mund t’i përdorte ndryshe, shumëkush mund të bënte të tjera zgjedhje, të cilat më së shumti janë mohore e kanë bëjnë me fjalëzën „mos“. Në këtë kuptim, mos-i i lexuesit ndaj së rremes, ndaj grafomanëve, bojkoti ndaj librave të këqinj, nuk është medoemos zgjedhja e gabuar.
Këtë zgjedhje i bie, nga ana tjetër, ta vuajnë edhe ata që nuk e meritojnë atë, të shkojë i njomi me të thatin, siç thuhet. Por se cilët qenkëshin këta, kjo mbetet të zbulohet, të zbulohet siç duhet e për këtë duhet punë e përkushtim e vetëdije shoqërore; kjo e fundit është sugjerimi që mund t’u bëhet të gjitha palëve që merren me librin, porse që mund të mbetet vetëm i tillë, sugjerim pra, pasi vetëdija është me përkufizim e brendshme e, të paktën te të rriturit, nuk mund të injektohet nga jashtë.
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...