Hoxha thotë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti

20:49 | 18 Korrik 2018
M. A.

Rasti i Kosovës për liberalizimin e vizave do të jetë pjesë e agjendës së komisionit në kuadër të Parlamentit Evropian.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në një intervistë për Rubikon të KTV-së, bëri të ditur se kjo do të ndodhë me 29 gusht të këtij viti.

Duke shpjeguar hapat nëpër të cilat duhet të kaloj procesi, ajo u shpreh e vendosur se qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha, 95 kushtet të cilat na janë kërkuar. Kriteret të cilat janë plotësuar i kemi edhe të dokumentuara me konferencën e sotme”, deklaroi Hoxha.

Debati i brendshëm mes shteteve për migracionin, sipas Ministres së Integrimeve, bëri që të shtyj raportin për viza.

“Javët e kaluara kanë qenë një debat shumë i thellë, sidomos në Gjermani e Francë dhe shtete tjera të BE-së e po ashtu edhe në samitin që u mbajt në fund të qershorit, temë kryesore ishte migracioni. Kjo ishte edhe koha e keqe, çka bëri edhe ta vonoj rekomandimin. Pra, u vendos që të përfundohet ky debat dhe Kosova të mos jetë në agjendë në këtë kohë”, shtoi tutje ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme